Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se protesta e 10 shkurtit sipas tij do të shënohet në analet e historisë si përpjekje e shqiptarëve për të rikthyer demokracinë dhe dinjitetin.
Sipas tij, protestuesit i zbardhën faqen Shqipërisë dhe rikthyen besimin në fitoren e tyre mbi atë që Berisha e konsideron si narkoshtet.
“Shqipëria është tjetër sot, nuk është më kurrë ajo e një dite më parë. Dhe kjo është merita e madhe e njerëzve të sakrificës, e njerëzve të idealeve, e njerëzve të gatshëm të përballen për të mbrojtur vlerat më të çmuara të njeriut.
Protesta e djeshme bindi çdo shqiptar se fitorja mbi narkoregjimin është e sigurt. Se Edi Rama është një kufomë politike e pakallur. Se regjimi i tij kundërmon në Shqipëri dhe në Europë dhe duhet hedhur sa më pare”, tha ai.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama pasi sipas tij kishte përgatitur një skenar gjakderdhje, prandaj edhe në krye të policisë kishte vendosur Sokol Bizhgën, që Berisha e konsideron një kriminel.
Berisha tha se janë katër protestues të plagosur, tre prej tyre të qëlluar në kokë, me qëllim sipas tij eliminimin fizik të tyre.
“Të tmerruar nga urtia dhe qëndrueshmëria e protestuesve, Edi Rama kishte përgatitur skenarin e gjakderdhjes.
Kishte përgatitur ekzekutimin e protestuesve paqësorë në shesh. Për këtë qëllim ai kishte vënë në komandë, në krye të banditëve me uniformë, kriminelin famëzi Sokol Bizhga, njeriun që dorëzoi tek bandat oficerin e policisë Gjergj Mehmeti që ndodhej në makinë me të.
Rama urdhëroi snajperët të qëllojnë katër protestues, të cilët në mënyrë absolute nuk po kryenin asnjë veprim ndaj policëve të rendit. Jo.
Ilir Tufi, protestues i vazhdueshëm në protestat tona, po filmonte, në një kohë kur e godasin snajperët në ballë. Goditja me plumba gome në kokë provohet në të shumtën e rasteve vdekjeprurëse.
Tjetër, Luan Lleshi i goditur edhe ai pa asnjë motiv. Demë Dollapi, i goditur edhe ai në kokë. Me plagë. Dhe një zonjë”, tha Berisha.
Më tej, Berisha deklaroi se është e paimagjinueshme, që deputetët e parlamentit “të ndiqen dhe rrihen nga policia”.
“Dhunës nuk i shpëtuan as deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Jeni dëshmitar që u dhunua Bledjon Nallbati, që nuk po kryente asnjë veprim tjetër, përveç se po ndihmonte një fëmijë, që po arrestohej. Është hakmarrje primitive e Ramës ndaj një deputeti guximtar. Sulmi fizik ndaj deputetëve opozitarë tregon se Rama kërkon përballje civile”, u shpreh Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



