Para

Garancia sovrane për fermerët, Sejko: Që të jetë efektive, të koordinohen institucionet

Nga Gazeta ‘SI’ – Rritja e aksesit në financim për sektorin e bujqësisë dhe ndërmarrjet e vogla ishte fokusi një takimi midis qeverisë dhe sektorit bankar.

Në një takim me ministrin e Financave, Petrit Malaj, ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko nënvizoi se Skema e Garancisë Sovrane është konceptuar si një instrument plotësues, që kontribuon në përmirësimin e transmetimit të kreditimit drejt ekonomisë reale, duke ruajtur njëkohësisht parimet e menaxhimit të kujdesshëm të rrezikut dhe stabilitetin financiar.

Guvernatori evidentoi gjithashtu disa vëzhgime mbi zbatimin e Skemës, duke vlerësuar progresin e arritur deri tani, si dhe duke theksuar nevojën për adresimin e disa çështjeve operacionale, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe përthithjes së saj. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve publike, sektorit bankar dhe institucioneve të tjera të përfshira, për të siguruar që Skema të vijojë të jetë në linjë me objektivat strategjikë të politikave financiare dhe të kontribuojë në një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të kreditimit.

Ministri Malaj theksoi se bujqësia mbetet prioritet strategjik, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit në tregun e përbashkët evropian, që kërkon rritje të produktivitetit dhe të vlerës së shtuar në zinxhirin prodhues. Sipas tij, Skema e Garancisë Sovrane shërben si një instrument për përshpejtimin e investimeve në sektor, ndërsa mbështetja do të vijojë edhe përmes skemës kombëtare të bujqësisë, paketës fiskale dhe rifillimit të IPARD III.

Nga ana e tij, ministri Salla bëri të ditur se pas një periudhe informimi dhe njohjeje me instrumentin, është shënuar rritje e interesit dhe e aplikimeve nga fermerët dhe bizneset agropërpunuese. Sipas tij, kjo tregon si nevojën për financim, ashtu edhe besimin në potencialin zhvillimor të sektorit.

Drejtuesit e sektorit bankar konfirmuan se, pas një periudhe njohjeje për sipërmarrësit dhe për bankat, muajt e fundit kanë treguar një gjallërim të skemës. Për më tepër, sipas të dhënave të brendshme, bankat konfirmojnë se, aktualisht, janë në proces vlerësimi një sërë aplikimesh.

Nga ana e sektorit bankar u ofruan disa opinione mbi ndërhyrje të ndryshme që mund të ndërmerren në të ardhmen, me synim rritjen e efikasitetit të përdorimit të skemave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë