Gazeta Si – Pas përfundimit të protestës së Partisë Demokratike përpara kryeministrisë, policia ka arrestuar 21 persona për dhunë gjatë tubimit, ndërsa 16 policë janë shtruar në spital pas lëndimeve që kanë marrë, jashtë rrezikut për jetën.
Mes protestuesve të arrestuar, 7-8 prej tyre janë të mitur, ndërsa bëhet me dije se kanë qenë të ndaluar edhe më herët për vepra të ngjashme penale.
Nën hetim, për këtë tubim janë vendosur pesë anëtarë të Partisë Demokratike, Sekretari Organizativ Ervin Minarolli, si dhe katër deputetët Flamur Noka, Belind Këlliçi, Luçiano Boçi dhe Klevis Balliu.
Gjatë veprimeve hetimore specialistët e Komisariatit Nr. 1 arrestuan 21 persona, përfshirë disa të mitur nën moshën 18 vjeç, për vepra të tilla si “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
14 nga të arrestuarit janë: Kreshnik Çeço, Klodian Bajrami, Leonid Tusha, Klejdi Subashi, Suzana Dimushi, Ramazan Nuhu, Florian Nuhu, Daniel Zeka, Andrea Kulla, Fabiol Ahmeti, Geraldo Demiraj, Danjel Kulla, Artur Kadria dhe Arbri Ujkaj.
Gjithashtu, disa persona të tjerë janë referuar në Prokurori për veprime në gjendje të lirë, ndërsa një person është shpallur në kërkim dhe policia po punon për kapjen e tij.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse benzinë, që janë gjetur nga shërbimet e Policisë, afër Kuvendit.
Për rreth 3 orë, Partia Demokratike organizoi tubimin e saj të dytë të madh kombëtar, i cili u karakterizua nga tensione dhe përplasje të ashpra mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Në dy vendet kryesore të tubimit, para Kryeministrisë dhe pranë ndërtesës së Parlamentit, turma e protestuesve përdori mjete të ndryshme të dhunës, duke përfshirë lëshimin e bombave molotov, hedhjen e gurëve dhe sendeve të forta drejt kordonit të policisë.
Si përgjigje ndaj këtyre sulmeve, forcat e rendit përdorën ujë dhe gaz lotsjellës për të kontrolluar dhe shpërndarë turmën.
Hedhja e vazhdueshme e molotovëve nga protestuesit e bëri situatën shumë të rrezikshme, ndërsa policia përpiqej të ruante rendin dhe të pengonte përparimin e turmës drejt ndërtesave shtetërore. Si pasojë e përplasjeve, disa punonjës të policisë u lënduan dhe u detyruan të transportoheshin me ambulancë për trajtim mjekësor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



