Taksa

DIVA/ Si mund të aplikoni për kompensimin e shpenzimeve të fëmijëve

Nga Gazeta ‘SI’ – Administrata Tatimore ka hapur aplikimet për kompensimin e shpenzimeve për arsimin e fëmijëve. Të drejtën e kanë të gjithë ata individë që kanë plotësuar Deklaratën Individuale të të Ardhurave, DIVA 2025, dhe kanë rezultuar me tatim të mbipaguar pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët me vlerë 48,000 ose 100,000 lekë në vit.

Tatimi i mbipaguar është diferenca midis shumës së taksave që një individ ka paguar dhe shumës që i takonte realisht sipas ligjit. Kjo shumë mund të rimbursohet ose kompensohet nga shteti.

Aplikimi kryhet online përmes sistemit e-Filing të administratës tatimore. Pas dorëzimit të kërkesës, kompensimi transferohet direkt në llogarinë bankare që individi deklaron gjatë aplikimit.

Pasi të hyni në sistemin e-Tax, duhet të zgjidhni modulin e-Filing dhe më pas “Çështjet e mia” për të krijuar një çështje të re. Në formularin që hapet, zgjidhet opsioni “Pyetje të përgjithshme” dhe plotësohet kërkesa për rimbursim sipas shumës së tatimit të mbipaguar që tregohet në DIVA. Aplikuesi duhet të bashkëngjisë gjithashtu dokumentet përkatëse, si të dhënat e llogarisë bankare, certifikatën familjare dhe dokumentacionin që vërteton shpenzimet për arsimin e fëmijëve, për shembull kontratat me shkollat dhe faturat e pagesave.

Afati për të paraqitur kërkesën për kompensimin e tatimit të mbipaguar është deri në 3 muaj pas plotësimit të DIVA 2025. Vlera e kompensimit llogaritet automatikisht nga sistemi, edhe për ata që nuk kanë detyrim ligjor për të dorëzuar deklaratën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë