Politike

Qeveria hap rrjetin social TikTok pas rreth një viti bllokim

Gazeta Si – Qeveria shqiptare ka vendosur të rihapë rrjetin social TikTok në të gjithë territorin e vendit, duke hequr ndalimin e vendosur rreth një vit më parë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave, datë 3 shkurt 2026, mban firmën e kryeministrit Edi Rama dhe pesë ministrave të tjerë, duke shfuqizuar masën e mëparshme që kishte bllokuar platformën.

Megjithatë, vendimi ende nuk është publikuar në Fletoren Zyrtare, dhe për pasojë nuk ka hyrë ende në fuqi, që do të thotë se efektet juridike të ndalimit mbeten aktive.

Ky zhvillim vjen në kohën kur çështja ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila kishte planifikuar seancën për të diskutuar çështjen më 5 shkurt 2026.

Dy ditë më parë, Këshilli i Ministrave i është drejtuar gjykatës me kërkesën për pushimin e çështjes, duke argumentuar se ankimi ka mbetur “pa objekt”.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me këto veprime, duke ngritur dyshime për manovra procedurale që mund të synojnë shmangien e përballjes në Gjykatën Kushtetuese dhe të përgjegjësisë institucionale për vendimin që ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në lirinë e shprehjes dhe informimit.

Vendimi për mbylljen e TikTok-ut ishte marrë në mars 2025 me qëllim minimizimin e dhunës midis nxënësve në shkolla.

Kryeministri Rama kishte theksuar se vendimi nuk ishte “i nxituar”, por bazohej në një anketim me rreth 65,000 prindër, ku 90 për qind e tyre kishin kërkuar mbylljen e platformës për të luftuar fenomenin e dhunës të lidhur me rrjetet sociale, i nxitur nga vrasja e një 14-vjeçari në shkollën “Fan Noli”.

Gjatë këtij viti, qeveria shqiptare vijoi komunikimet me drejtuesit e TikTok që të merren masa për vendosjen e filtrave që pengojnë promovimin e materialeve me përmbajtje ku ka dhunë ose promovohet gjuha e urrejtjes.

Megjithatë, një vit më vonë, episodet e dhunës nuk kanë pësuar ulje të ndjeshme, gjë që ka bërë të mundur rihapjen e TikTok.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë