Politike

Debati për pagat/ Berisha: Gjyqtarët kanë të drejtë! Piramidën e përmbysi Edi Rama

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD Sali Berisha komentoi edhe debatin e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe Shoqatës së Gjyqtarëve për rritjen e pagave.

Ai u shpreh se piramida e pagave është e drejtë ekskluzive e ekzekutivit.

Mirëpo ai hodhi akuza ndaj qeverisë së Ramës se sipas tij ka përmbysur piramidën e pagave pas Reformës në Drejtësi.

Ndërtimi i piramidës, sipas tij, është një “detyrë me shumë përgjegjësi dhe jashtëzakonisht e rëndësishme” që duhet të reflektojë përparësitë kombëtare në zhvillim.

Duke bërë një krahasim historik, Berisha tha se gjatë qeverisë së tij (2005-2013) arsimi dhe shëndetësia u përparuan, ndërsa sot sektori publik është “copë, copë, i shkatërruar”.

Ai shtoi se gjyqësori ka pasur ligj të sanksionuar për rritjen e pagave, që garantonte kompensimin e inflacionit dhe rritjen sipas meritës.

“Ky shakaxhi shkarravitës që ka zero ide për shtetin, nuk e kuptoi se po i vinte kazmën në themel piramidës së pagave, duke caktuar rrogat që i thoshte Vllahica, që raportet i merrte nga zyra e tij,” kritikoi Berisha.

Ai vijoi duke theksuar të drejtën e magjistratëve:

“Çdo gjykatës sot ka 100 përqind të drejtë të mos pranojë piramidën ekzistuese. Nuk është këtu çështja e niveleve. Është çështja sepse ky një prokurori në prokurorinë speciale i jep një rrogë dy herë më të madhe se gjykatësit kushtetues. Ju më dëgjuat se çfarë thashë për ta, por këtë nuk mund ta bëjë shteti. Shteti është i detyruar t’i qëndrojë hierarkisë.”

Berisha kritikoi gjithashtu vendimet si motiv politik:

“E drejta është që piramida është përmbysur dhe është përmbysur vetëm e vetëm për të paguar një grup mercenarësh për qëllime politike. Shtet është ky? Leckë është ky, nuk është shtet”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë