Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi Gjykatën Kushtetuese se sipas tij është nën presionin e Edi Ramës, ndaj edhe po zvarrit vendimin për Ballukun.
Në konferencën për media, Berisha deklaroi se gjyqtarët sipas tij po sillen në kundërshtim me interesat e qytetarëve shqiptarë dhe po mbrojnë pandëshkueshmërinë dhe hajdutët.
Sipas tij, kemi të bëjmë me një degradim të shkallës më të thellë që mund të ekzistojë.
“Në një akt ekstrem vetëposhtërimi, ata të cilët Kushtetuta i përcakton si garantë të saj dhe i ka vendosur në piedestalin më të lartë të piramidës së pushtetit gjyqësor, ata po faktojnë para syve tuaj se janë strofulla e fundit e hajdutëve të narkoshtetit.
Ata zotërinj dhe zonja, natyrisht jo të gjithë, se këtu nuk mund të mos vlerësoj qëndrime korrekte të ndonjërit prej tyre, dëshmojnë se janë të gatshëm jo të mbrojnë ligjin, Kushtetutën dhe interesat tuaja, por të shkelmojnë mbi ligjin, Kushtetutën dhe dinjitetin, moralin e vet.
Vetëm e vetëm për të zbatuar përulësisht, për të zbatuar në mënyrën më kriminale urdhrat e Edi Ramës.
Kësaj here nuk kam pyetur se cili apo cila kërkoi zgjatjen. Jo. Kjo ishte e treta herë.Tre herë me radhë ajo gjykatë firmosi turpin e saj”, tha Berisha.
Më tej cilësoi se protesta e 10 shkurtit bëhet sipas tij edhe për të goditur këtë drejtësi të kapur, që mbron pandëshkueshmërinë dhe abuzuesit me paratë e shqiptarëve.
“Janë qytetarë të përgjegjshëm që duan të përballen me këtë shtet të degraduar dhe degjeneruar në shkallë ekstreme. Si mundet që një gjykatës Kushtetues të mos ndjejë përgjegjësi ligjore dhe të bëhet strofkulla e fundit e hajdutëve. Këtë betejë do ta fitojmë, do ta fitojmë. Morali i qytetarëve është qindra herë më i rëndësishëm sesa ata. E kam deklaruar dhe e deklaroj se kemi vetëm një objektiv, largimin e këtij armiku të egër”, tha lideri i opozitës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



