Gazeta Si – Nga ish-kryeministra, si Barak i Izraelit dhe Jagland i Norvegjisë, te diplomatët rusë, nga shefi i “Palantir Thiel”, te “guru” Bannon, i cili donte të ndërtonte një rrjet të ekstremit të djathtë në Evropë.
Dosje “Epstein” zbulojnë të gjitha “interesat” e tjera, përtej atyre seksuale, të cilave financieri-pedofil u përkushtua.
Në dokumentet e publikuara dhe emaile të dërguara njëri-tjetrit, shfaqen politikanë nga e gjithë bota, biznesmenë të mëdhenj dhe spiunë.

Email-et me Ehud Barak dhe çështjet e Gjirit Persik
Ish-kryeministri izraelit, ministri i Mbrojtjes dhe ish-zyrtari i lartë i inteligjencës, Ehud Barak, ishte një nga kontaktet më të ngushta të Epstein.
Përveç fotove të tij me financierin-pedofil që u publikuan javët e fundit, emri i tij shfaqet gati 7,000 herë në grupin e ri të dokumenteve të publikuara të premten e kaluar.
Shfaqet një korrespondencë e dendur midis të dyve, duke diskutuar tema shumë të ndjeshme.
Epstein, për shembull, i tha Barakut në vitin 2013 se kishte refuzuar një takim të kërkuar nga Vladimir Putin.
Një vit më vonë, financieri dërgoi këtë mesazh: “Me trazirat civile që shpërthejnë në Ukrainë, Siri, Somali, Libi dhe dëshpërimin e atyre që janë në pushtet, a nuk është kjo perfekte për ty?”. Nuk ka të dhëna për përgjigjen e Barakut.

Por Epstein kishte kontakte të nivelit të lartë edhe në pjesën tjetër të rajonit: ai diskutoi marrëveshje të mundshme me biznesmenë të Gjirit dhe pretendoi se kishte marrë dhurata direkt nga Mohammed Bin Salman.
Interesat e tij shkuan edhe më tej: doli një email i korrikut 2011 në të cilin financuesi informohej për një plan të detajuar për të fituar akses në asetet e ngrira shtetërore libiane, potencialisht me mbështetjen e ish-zyrtarëve të inteligjencës britanike dhe izraelite.
Dhe përsëri: ai komentoi mbi vrasjen e Jamal Khashoggit, duke shkruar se “më duket se po ndodh diçka më e madhe”.
Por kishte edhe fakte më groteske. Një nga asistentët e tij po trafikonte copa të pëlhurës së zezë që mbulonte Qabenë, vendin më të shenjtë të Islamit në Mekë.

Nga Kremlini te shërbimet sekrete: lidhjet ruse
“Putini më kërkoi një takim. Unë thashë jo”. Ky email (dërguar Ehud Barak) në vitin 2013 u dërgua nga Jeffrey Epstein.
Qoftë një propozim i vërtetë apo një mburrje, mesazhi jep një ide për lidhjet e nivelit të lartë të financierit në Moskë.
Një nga kontaktet e tij më të ngushta, duket se ka qenë Vitaly Churkin, përfaqësuesi i Rusisë në OKB nga viti 2006, deri në vdekjen e tij në vitin 2017.
Ka shkëmbime të shpeshta mesazhesh midis të dyve. Epstein e përmend atë përsëri në vitin 2018, në një bisedë me ish-kryeministrin norvegjez, Thorbjørn Jagland më pak se një muaj para samitit të Helsinkit midis Donald Trump dhe Vladimir Putin.
Financieri shkruan: “Mendoj se duhet t’i sugjeroni Putinit se Lavrov mund të ketë informacion të klasifikuar nga unë… Zakonisht ia jepja Churkinit”.

Dhe, në emailin tjetër, thuhet: “Churkini ishte i shkëlqyer… ai e kuptoi se kush ishte Trump pas bisedave tona”.
Dy vjet më parë, në gusht 2016 – në mes të fushatës zgjedhore presidenciale në SHBA – Epstein priti Churkin, Barak, Peter Thiel dhe Tom Barrack, atëherë një këshilltar i lartë i fushatës së Trump dhe tani ambasador i SHBA-ve në Turqi, për drekë në rezidencën e tij në Nju Jork.
Madje del në pah një dokument i FBI-së i vitit 2017, i klasifikuar si “sekret”, në të cilin Epstein përshkruhet si “menaxheri financiar i Putinit”.
Financieri kishte gjithashtu kontakte brenda shërbimeve sekrete: në një email të dërguar vetes, si draft, ai shkroi kërcënueshëm: “Duhet ta dini se kam kontaktuar disa miq në FSB”. Nuk ka të dhëna për marrësin e synuar.

Bannon dhe lëvizjet e përbashkëta për të favorizuar euroskeptikët
Në vitet para arrestimit të tij në korrik 2019 dhe vdekjes së tij në një burg të Nju Jorkut më 10 gusht, Epstein kishte gjetur një bashkëbisedues të ri të privilegjuar.
Steve Bannon, një guru i së djathtës ekstreme amerikane dhe këshilltar i Donald Trump, filloi të lëvizte për të zgjeruar rrjetin e tij – dhe projektin e tij politik populist – në Evropë pas zgjedhjes së manjatit në vitin 2016.
Shumë nga këto lëvizje, tani duket se ishin të koordinuara me financuesin, i cili dha këshilla se si të nxisë rritjen e partive euroskeptike në vende të ndryshme.
Këshilla numër një e Epstein ishte: “Nëse doni të luani këtu, do t’ju duhet të investoni kohë. Evropa e largët nuk funksionon”.
Pikërisht në ato muaj, Bannon nisi një turne në Kontinentin e Vjetër, duke u takuar me një numër udhëheqësish politikë, përfshirë Matteo Salvinin.

Ai shkroi një sërë mesazhesh mjaft elokuente. “Jam i përqendruar në mbledhjen e fondeve për Le Pen dhe Salvinin”; “Tani jam këshilltar i Frontit (Nacional), të Salvinit, AfD 9Gjermani), Orbán (Hungari), Farage (Angli). Në zgjedhjet e ardhshme evropiane, mund të kalojmë nga 92 vende, në 200 dhe të bllokojmë çdo legjislacion mbi kriptovalutat ose çdo gjë tjetër që duam”
Kur, në shtator 2018, Nega Nord iu bashkua “Movement”, një platformë e përbashkët e partive euroskeptike të themeluara nga vetë Bannon, Epstein u gëzua: “E jashtëzakonshme”.
Tre muaj më vonë, këshilltari i Trumpit bëri një parashikim: “Ne do të fitojmë 60% të Parlamentit Evropian në pranverë dhe javën tjetër, Salvini do të rrëzojë qeverinë”. Financieri u përgjigj: “Zoti i mëshiroftë”.

Mesazhi për Thiel-in në lidhje me “kthimin te tribalizmi”
Më 23 qershor 2016, 17 milionë qytetarë britanikë miratuan daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian. Tre ditë më vonë, Epstein i shkroi Peter Thiel: “Brexit, është vetëm fillimi”. “E çfarë?”, – pyet sipërmarrësi.
Përgjigja e financierit është shqetësuese: “Kthim te tribalizmi. Kundërshtim ndaj globalizimit. Aleanca të reja të pabesueshme. Ju dhe unë ramë dakord që normat zero të interesit ishin shumë të larta, siç thashë në zyrën tuaj. Gjetja e gjërave që ishin gati të shembeshin, ishte shumë më e lehtë, sesa gjetja e marrëveshjes së radhës”.
Shumë i lexojnë këto rreshta, si një lloj manifesti: nxitja e paqëndrueshmërisë politike dhe rrjedhimisht ekonomike, në nivel global me qëllim fitimin e pushtetit dhe parave.
Dy miliarderë po e diskutojnë këtë: Epstein, sigurisht, dhe Thiel, pronari – ndër të tjerë – i “Palantir”, një nga kompanitë më misterioze dhe të fuqishme në planet.

Ajo u ofron kompanive dhe qeverive një gamë shërbimesh të analizës së të dhënave të mëdha dhe bashkëpunon me shumë ushtri, përfshirë atë izraelite.
Ishte Epstein, siç mësohet së fundmi, ai që e prezantoi Thiel me Ehud Barak. Dhe ai që organizoi, në tetor 2016, një drekë me Thiel dhe Vitaly Churkin, atëherë ambasadorin rus në OKB.
Një javë më vonë, Thiel njoftoi se do të financonte fushatën zgjedhore të Donald Trump. Por dosjet zbulojnë gjithashtu se financieri-pedofil, kishte qenë prej kohësh në kontakt me Elon Musk – një miliarder tjetër që financoi Trump dhe tani ka hyrë në botën e MAGA-s.
Shefi i Tesla dhe platformës “X”, gjithmonë ka mohuar të ketë pasur ndonjë kontakt me Epstein, por në vitin 2012, ai e pyeti financierin: “Kur do ta bësh festën tënde më të çmendur deri më tani?”
Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



