Politike

Rama-prokurorëve: A keni ndonjë gjë për të thënë për arrestimet me burg pa gjyq?

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj qëndrimit të Shoqatës së Prokurorëve, në lidhje me debatin për rritjen e pagave të gjyqtarëve.  

Rama thekson se kjo shoqatë nuk është ende e regjistruar sipas ligjit, por ndodhet brenda afatit ligjor për regjistrim, ndërsa qëndrimi i saj publik sipas tij po shton absurditetin e situatës.

Sipas Ramës, ajo që po paraqitet si “ulje pagash”, është një tentativë e kategorisë më të privilegjuar në piramidën e pagave të shtetit shqiptar, për të rritur më tej pagat.

“Mosngritja e pagës aq sa dëshirohet, po interpretohet si ulje page”, shkruan Rama, duke e quajtur këtë arsyetim të pabesueshëm.

Ai thekson se qeveria nuk ka pasur asnjëherë qëllim apo nismë për uljen e pagave të gjyqtarëve, përkundrazi, sipas tij, vëmendja ndaj pushtetit gjyqësor, thotë ai, ka qenë e lartë.

Gjithashtu ai bëri të ditur se prej gati një viti po punohet për ndërtimin e një “Poli Drejtësie”, që synon të ofrojë kushte pune dhe paga për trupën e drejtësisë ndër më të mirat në rajon.

Në fund, Rama shtron edhe një pyetje për Shoqatën e Prokurorëve duke e zhvendosur çështjen tek funksionimi i drejtësisë. Ai ngre shqetësimin për atë që ai konsideron shkelje të vazhdueshme të prezumimit të pafajësisë dhe për kthimin e arrestit me burg pa gjyq në një praktikë rutinë duke theksuar se kjo situatë, sipas tij, ka njollosur imazhin e Shqipërisë.

Shoqata e Prokurorëve, nga ana e saj, shprehu shqetësim më herët se retorika publike mbi pagat mund të ndikojë negativisht në besimin e qytetarëve në drejtësi.

Ata paralajmëruan se çdo debat mbi pagat duhet të bëhet me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve dhe jo përmes procedurave ligjore që mund të krijojnë tension publik.

Postimi i plotë i Ramës

Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re – ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim – e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!! Pra, orvajtja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!!

A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi? Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!! Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!! Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë! Absurditet total pra, sepse jo vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve!

Madje kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon! Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re: Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë