Politike

Rama- shoqatave të gjyqtarëve për rritjen e pagave: Po silleni si parti politike!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka kritikuar sërish kërkesën e gjyqtarëve lidhur me çështjen e rritjes së pagave.

Pas reagimit të një dite më parë nga Shoqata e Gjyqtarëve kreu i qeverisë shprehet se me qëndrimet publike që ka mbajtur, nuk ka përmendur asnjë emër, por ka reaguar ndaj kësaj kërkese që sipas tij nuk është e drejtë.

Rama përmendi shembuj konkret, teksa tha se vetëm për një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë kërkojnë një rritje mujore page nga 3360 euro në 5300 euro, ndërsa për të Apelit nga 3480 euro në 5500 euro.

Kryeministri tha se ajo që e bën edhe më serioze çështjen është fakti se gjyqtarët në Shqipëri marrin më shumë pagë sesa vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi dhe krahasohen me ato që ka Greqia.

“Unë e kam provuar linçimin, është diçka krejt tjetër nuk ka lidhje fare me një qëndrim publik ku nuk është as përmendur njeri me emër dhe as është fyer njeri, por është ngritur një problem i madh serioz. Ju kërkoni 37 mln euro plus nga buxheti i shtetit për t’i rritur vetes tuaj pagat. Shqiptarët duhet të dinë se ju kërkoni që për gjyqtarin e shkallës së parë paga të shkojë nga 3360 euro në 5300 euro, për të apelit nga 3480 euro që është sot, në 5500 euro. Ju kërkoni që paga në gjykatën e lartë të shkojë 5800 euro dhe të Prokurorëve të SPAK, të cilët i veçoj se nuk i është bashkuar kësaj përpjekje absurde dhe respekte, për ta çuar pagën e vet 9800 euro.

3 mijë euro doni t’i rrisni vetes në muaj me një vendim gjykate. Çfarë kërkoni? Ajo që e bën edhe më serioze këtë situatë, është se pagat tuaja, janë pagat më të larta goxha më të larta se në rajon, se në RMV, Mal të Zi dhe janë të barabarta me një vend të BE si Greqia. Sot ju i keni pagat sa në Greqi, dhe doni ti rrisni me nga 3 mijë euro në muaj, në emër të çfarë në emër të ligjit e kushtetutës? E pavërtetë, nuk ka ligj e kushtetutë që iu jep juve këtë të drejtë”, tha Rama.

Sipas Ramës, ata u shfaqën si parti politike ndaj dhe mund të regjistrohen si të tillë, pasi kanë sulmuar publikisht edhe qeverinë. Rama shtoi se me kërkesën e tyre, gjyqtarët po kërkojnë të ndërhyjnë në ligjin e pagave.

Po ashtu, shtoi ai, Shoqata e Gjyqtarëve arriti në pikën që të sulmonte publikisht qeverinë dhe kryeministrin.

“Si arrini deri në pikën që të sulmoni publikisht qeverinë, kreun e këshillit të ministrave, mediave de t’i akuzoni të gjithë për histeri. Për çfarë histerie e keni fjalën? 37 mln euro plus që kërkoni nga buxheti janë para që duhet të hiqen nga diku tjetër”, shtoi kryeministri.

Mes të tjerash Rama shprehu respekte për SPAK-un, duke qenë se nga ana e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka patur një kërkesë të ngjashme, apo ankesa të tilla mbi pagën.

Ai shpjegoi gjithashtu se përse gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK-ut dhe GJKKO-së sipas tij duhet të kenë përparësi para të tjerëve: “I është dhënë kjo epërsi Gjykatës dhe Prokurorisë Speciale për shkak të funksionit që ushtrojnë, dhe kjo është e përkohshme, sepse i është dhënë një mision strategjik. Ata njerëz gjenden në situata presioni edhe rrezikun për jetën për shkak se përballen me organizata kriminale, etj, etj. Po ju si e keni hallin?!”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë