Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria renditet e dyta në Europë për numrin e njerëzve që jetojnë në banesa të “mbipopulluara”. Sipas të dhënave të Eurostat, 57% e popullsisë jeton në banesa me hapësirë të pamjaftueshme për numrin e personave që banojnë aty. Vetëm Mali i Zi ka një normë më të lartë, rreth 62%, ndërsa Holanda regjistron nivelin më të ulët në Europë, vetëm 4.6%.
Më shumë se një fenomen tradicional, ky tregues është pasojë e mungesës së një strehimi të përballueshëm ekonomikisht.

Një tregues tjetër shqetësues është diskriminimi në kërkimin e strehimit. Rreth 3% e personave në rrezik varfërie në Shqipëri, kanë raportuar se kanë përjetuar diskriminim gjatë përpjekjeve për të gjetur një banesë. Edhe pse kjo përqindje mund të duket e ulët, ajo mbetet më e lartë se në disa vende fqinje si Serbia, Kroacia, Turqia, Italia dhe Greqia. Kjo reflekton jo vetëm barrierat ekonomike, por edhe pengesat sociale që përballen individët më të prekshëm në tregun e strehimit.
Norma më e lartë e diskriminimit raportohet në Zvicër, Spanjë e Belgjikë; vende që po përballen me rritje të fortë të kërkesës për strehim, turizmit dhe çmimeve të pronës.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



