Gazeta Si – Henrik Hoxhaj, ish-bashkëpunëtori i drejtësisë, të cilit iu hoq statusi nga SPAK, ka rrëfyer me detaje dy atentate që ndodhën në Durrës në vitin 2020 brenda një kohe të shkurtër, duke lënë pas 4 viktima.
Në seancën e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”, ai fillimisht zbërtheu vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë në 2 mars 2020 në zonën e Nishtullës në Durrës gjatë kohës të pandemisë.
Ai sqaroi se këtë “punë” ia kishte propozuar i penduari tjetër i drejtësisë Nuredin Dumani dhe tregoi se çfarë ndodhi atë ditë.
Më pas zbërtheu skemën e atentatit në vrasjen e vëllezërve Haxhia në autostradë, ku objektivi kryesor ishte Besmiri, por për fat të keq atë ditë në makinë me të ndodhej edhe Viktori.
Sipas Hoxhajt, ky krim u organizua nga Nuredin Dumani, i cili përmes këaj vrasjeje, synonte të eliminonte edhe Altin Ndocin (i arratisuri nga Spitalit i Durrësit), kur ky i fundit do t’i shkonte në varrim.
Njohja me Dumanin
Rrëfimi i Hoxhajt nis me si u njoh me Dumanin në vitin 2020: “Njihem me Nuredin Dumanin. Jam njohur tek ditëlindja e Festim Qolit në vitin 2020. Aty jemi njohur, duke ngrënë duke pirë. Kemi shkëmbyer numrat. Disa muaj më vonë u takuam. Nuredini ishte i interesuar për të më takuar. Nuk e mbaj mend, por më duket se kemi komunikuar me telefona të kriptuar. Kemi biseduar për disa vrasje. Ai kishte marrë porosi nga Krymi. Më tha që janë disa punë për t’u bërë, a je i interesuar. Unë i thashë po”.
Pas këtij propozimi për “punë”, Hoxhaj hyn më në detaje. Ai tregon se porosia ishte për dy vrasje nga Erjon Alibej, i cili në këtë rrëfim përmendet me pseudonimin “Krymi”.
Ata do merrnin 70 mijë euro. Hoxhaj tregon se ishte periudhë e pandemisë dhe ndonëse kishin dalë pa leje, kishin zbatuar të gjitha rregullat e qarkullimit për të mos rënë në sy.
“Nuredimi më tha për dy vrasje që do bëheshin në Durrës. Në fillim qe si porosi e Krymit, por pastaj i paraqiti si problematika të tij. Tha a je dakord në fillim. Po dakord, i thashë. Në këtë takim diskutuam për vrasjen e Dorian Shkozës. Do kryhej kundrejt pagesës. Në fillim propozoi 70 mijë euro. Ai gjeti mjetet dhe armët. Shofer qe Elio Bitri, elbasanlli. Si kohë, ishte pak pas takimit, në pandemi. Nuk kishim leje, por ishim sipas rregullave, me rrip, me rregulla qarkullimi”.
Armët e bllokuara
Ai shtoi se ditën e ngjarjes ka shkuar në Durrës, ku u takua tek shtëpia e Nuredinit. “Nga aty u nisëm. Kemi përdorur një makinë të zezë. Ishte Elio Bitri në timon, unë mbrapa shoferit. Kisha unë dy armë, Elio një. Nuredini u nis me ne. Ne kemi dalë një xhiro tek servisi. Kur kaluam njëherë nuk ishte prezent. Kur u kthyem ishte aty. Ishte me dy persona i shoqëruar. Elio më thotë, ja ku janë. Ishin 3 vetë në trotuar. Unë i qëllova me armë nga brenda makinës. Një armë mu bllokua, përdora tjetrën”, tregon Hoxhaj.
Më pas ai tregon dhe një ndërveprim që pati me Shkozën, për t’u siguruar që ishte vërtet ai, para se ta vriste.
Pas ngjarjes, Hoxhaj thekson se paratë për kryerjen e kësaj “pune”, një shumë prej 70 mijë eurosh, i ndau me bashkëpunëtorin. Pas krimit, Hoxhaj ka jetuar i qetë në Tiranë, pa u fshehur.
“Ti je Doriani!”
Hoxhaj tregoi në gjykatë se në momentin që kishte hapur zjarr ndaj Shkozës e kishte pyetur këtë të fundit nëse quhej Dorian dhe ai e kishte mohuar. Por pasi ishte siguruar duke pyetur Bitrin, atëherë e kishte qëlluar sërish duke e lënë të vdekur.
“Njëri nga ata ngeli në vend. Doriani u rrëzua pak më tutje. Unë i thashë, a ti je Doriani. Ai tha jo. Pyeta Elio Bitrin, a ky është. Po më tha ai. Edhe e godita. Një e goditi edhe Elio. Pati një pistoletë me mulli. Pas vrasjes hipa në makinë. Në ikje e sipër, i thashë, mua më lër tek Plepat, ku kisha lënë një makinë. Unë hipa tek ajo me duar në xhepa. Ndërsa makina tjetër iku u dogj tek Bishti i Zhurit. Nuredini ka qenë pas nesh dhe e ka parë ngjarjen. Më tha, o kusho, doli shumë mirë. Pagesën e mora për ngjarjen. Por ajo 70-shja u nda mes meje e Elios. 35 mora. Nuk e di sa i dha Elios. Pas kësaj vrasjeje kam jetuar në Tiranë. Nuk fshihesha. Lekët Nuredini më tha se i merrte nga Krymi”, tha Hoxhaj.
Vëllezërit Haxhia
Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia u ekzekutuan më pak se një km nga vendi ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia, me të njëjtën mënyrë e mekanizëm.
Duke rrëfyer skemën e vrasjes në Shënavlash, Hoxhaj pranoi gjatë seancës se kishte folur me Nuredin Dumanin për Altin Ndocin.
Sipas tij, arsyeja ishte se Nuredini thoshte që Ndoci dhe Talo Çela donin t’ia ngjisnin atij ngjarjet e tyre.
“Ishte kohë pandemie, Tirana ishte bosh. Ndoci e kishte shtëpinë në ‘Misto Mame’, por aty binte shumë në sy dhe nuk e gjeje dot. Atëherë u vendos të vritej një nga vëllezërit Haxhia, që Ndoci të vinte në varrim dhe më pas të ekzekutohej. Sipas Nuredinit, këta ishin të gjithë bashkë me Talo Çelën. Objektivi ishte Besmir Haxhia. Do ishte edhe Nuredini. Më duket se më ka sjellë edhe një foto. Unë isha bashkë me Nuredinin. Shofer ishte Klevis Alla. Për këtë ngjarje kam qëndruar dy ditë në shtëpinë e Nuredinit”, – dëshmon Hoxhaj.
Vendimi i Nuredin Dumanit!
I dyshuari shpjegon se për ngjarjen u përdorën tre kallashnikovë dhe një armë brezi. “Ekzekutorë do ishim unë dhe Nuredini. Ai donte ta bënim te një lokal bastesh, ta thërriste aty. Unë nuk pranova, sepse kishte shumë njerëz dhe mund të vriteshin persona të pafajshëm. Më pas u nisëm me një ‘Toyota’ me portobagazh. Unë mbaja kallashnikovin në dorë dhe kisha edhe një armë të shkurtër pranë. Veshjet i kishim uniforma OFL. Kishim edhe maska silikoni, por unë nuk e vura”.
Sipas Hoxhajt, njëri nga vëllezërit është vrarë aksidentalisht, pasi Nuredin Dumani vendosi që të eliminoheshin të dy.
“Në Shënavlash, kur kaloi makina e tij, shoferi ynë pa që ishte me vëllanë. Ia tha Nuredinit dhe ai u përgjigj: ‘Mirë, i vrasim të dy’. I ndoqëm për pak, por ata ecnin shpejt. Më pas u bllokuan në trafik. U dolëm nga një rrugë anësore dhe hapëm zjarr. Qëllova edhe unë edhe Nuredini, – vazhdon Henrik Hoxhaj. – Nuredini zbriti nga makina. I thashë pse po zbriste kot, se i kishim neutralizuar. Ai qëlloi, por arma iu bllokua, pastaj iu bllokua edhe tjetra. Atëherë mora unë armën, zbrita dhe godita disa herë. Unë godita shoferin”.
Për këtë ngjarje, Hoxhaj zhulon, “mora edhe 35 mijë euro. Unë nuk kam pasur komunikim me Krymin (Erion Alibej). Kur mora vesh se ishte arrestuar Klevis Alla, i thashë Nuredinit: ‘Çfarë bën, na more në qafë’. Ai më tha: ‘Mos u shqetëso’. Kur u kap ai, ka thënë se pas ngjarjes qëndronin Altin Ndoci dhe Talo Çela. Unë u habita dhe thashë: ‘Çfarë thotë ky?'”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



