Rend dhe Ligj

Si ndodhi sulmi në berberhane në Lezhë, 3 autorët dhe shënjestra shpallen në kërkim

Gazeta Si – Katër persona janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të ngjarjes në një berberhane në Rrilë të Lezhës, ku objektiv mendohet të ketë qenë Merando Nikulaj, por nga të shtënat me armë zjarri mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci.

Policia bën me dije se bëhet fjalë për 3 anëtarë të fisit Ndoka, Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, si dhe tyre shënjestra e atentatit Merando Nikulaj.

Po ashtu, në pranga ka rënë edhe punonjësi i policisë, B.K., i pranishëm në berberhane, i cili qëlloi me armë duke zmbrapsur autorët.

Sipas burimeve, shkak i konflikti ndërmjet autorëve dhe shënjestrës kishte qenë një përplasje në verën e vitit 2025 në zonën e Shëngjinit, ndërmjet Merando Nikulajt dhe tre autorëve të ngjarjes.

Nga rindërtimi i skenës së krimit, dyshohet se autorët i ishin afruar berberhanes me dy automjete dhe pasi kanë zbritur, dy prej tyre kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të Merando Nikulajt.

Brenda biznesit ka qenë edhe polici, i cili është kundërpërgjigjur autorëve, dhe që me ndërhyrjen e tij mesa duket ka evituar që atentati të kishte viktima.

Por pas hetimeve, ai është shoqëruar me urdhër të prokurorisë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndonëse në deponimin e parë ishte shprehur se gjendej rastësisht në vendngjarje.

Ndërkohë, berberi 30-vjeçar Sokol Daci ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi u qëllua me katër plumba në shpatull bark dhe këmbë.

Krahas Dacit, i plagosur mendohet të jetë edhe shënjestra Merando Nikulaj, pasi në skenën e krimit janë gjetur gjurmë gjaku të cilat po i nënshtrohen analizave të ADN-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë