Ka ndodhur

Plagoset me armë berberi në Lezhë, shënjestër dyshohet një anëtar i fisit Nikulaj

Gazeta Si – Sokol Daci, pronari 30-vjeçar i një berberhaneje në Rrilë të Lezhës, u plagos mbrëmjen e të dielës me armë zjarri. Fatmirësisht, i riu ndodhet në gjendje të stabilizuar, jashtë rrezikut për jetën.

Përveç një njoftimi paraprak, policia nuk dha shumë detaje, por sipas burimeve, nuk dihet nëse Daci ka qenë shënjestra e atentatit, pasi brenda ndodheshin edhe persona të tjerë në momentin e ngjarjes, përfshirë një polic dhe një anëtar të fisit Nikulaj.

Gjithnjë sipas informacioneeve në rrugë jo zyrtare, dyshohet edhe për shkëmbim zjarri. Burime thonë se Nikulaj ka marrë një plumb edhe vetë, ku dyshohet se ishte shënjestër e atentatit, por deri tani policia nuk e konfirmon.

Dyshohet se kanë qenë tre persona të cilët kanë mbërritur në fshatin Rrilë të Lezhës me një mjet tip “Audi” dhe pasi kanë zbritur nga makina, kanë qëlluar në drejtim të berberhanes, duke lënë të plagosur 30-vjeçarin, i cili ka marrë tre plumba: një në shpatull, një në bark dhe një në këmbë.

Ata kanë qëlluar me breshëri plumbash dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Ndërkohë i plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të stabilizuar.

Sokol Daci nuk rezulton të ketë precedentë penalë apo të jetë një person problematik në zonë. Ai njihej gjithashtu edhe si berber Coli.

Biznesi nuk ka patur kamera sigurie, por po kqyren bizneset e tjera që mund të kenë kamera sigurie dhe ta kenë regjistruar këtë moment.

Ndërkohë, 3 vite më parë, biznesmeni Ardian Nikulaj, kushëri me shënjestrën e dyshuar mbrëmjen e të dielës, mbeti i vrarë në lokalin e tij në Shëngjin.

Ngjarja, rikthen në vëmendje historinë e hakmarrjes mes fisit Nikulaj dhe Lekstakaj, e nisur dy dekada më parë.

Ka qenë kjo histori që ka sjellë disa vrasje mes dy fiseve, ku vrasja e Ardian Nikulajt në 19 prill 2023 u pasua me vrasjen e Nikolin Lekstakajt, tre muaj më pas, më 19 korrik. Pas gati 7 muajsh nga vrasja e Ardian Nikulajt, u ekzekutua edhe i afërmi i tij, Entjan Nikulaj.

Në vrasjen e tij akuzohen si të përfshirë 5 persona, porositësi Edmond Haxhia dhe 3 britanikë, të cilët janë ndaluar në Angli dhe ndodhen në proces ekstradimi.

Ndërsa personi që qëlloi, u identifikua nga policia si Ruben Saraiva, i cili arriti të largohej jashtë vendit pas ngjarjes, për t’u arrestuar në Marok. Prej andej u ekstradua në vendin tonë në dhjetor 2023.

Ndaj tij rëndojnë akuzat “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”.

 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë