Filmi më i ri i regjisorit kosovar Visar Morina, “Shame and Money”, ka fituar Çmimin e Madh të Jurisë, Seksioni Ndërkombëtar-Dramë (World Cinema Grand Jury Prize: Dramatic) në Sundance Film Festival 2026, një nga festivalet më prestigjioze të filmit të pavarur në botë.
Sipas “Hollywood Reporter” filmi ofron një vështrim të thellë mbi pasojat e ekonomisë globale, të parë nga këndvështrimi i një familjeje kosovare që përballet me zhvendosjen, pasigurinë dhe humbjen e dinjitetit.
Ngjarja nis në fshatin Çikatovë e Vjetër, vetëm rreth 50 kilometra larg Prishtinës, por për personazhet e filmit, këto dy botë duket se ndodhen në skaje të kundërta të jetës. Shabani dhe Hatixhja, një çift fermerësh qumështi, jetojnë një jetë të thjeshtë, por të qëndrueshme, duke rritur tri vajzat e tyre në ritmin e zakonshëm të fshatit.
Pas një akti tradhtie brenda familjes, ata detyrohen të lënë shtëpinë dhe të shpërngulen në kryeqytet, ku përballen me realitetin e ashpër të jetesës urbane dhe varësinë nga ndihma e të afërmve më të pasur ndihmë që shpesh shoqërohet me presion, heshtje dhe ndjenjë turpi.
Regjisori Morina, pas filmave “Babai” dhe “Exil”, ndërton një dramë të ngadaltë, por jashtëzakonisht intensive, ku çdo shikim, pauzë dhe frymëmarrje e mbajtur ka peshë emocionale. Aktorët kryesorë Astrit Kabashi dhe Flonja Kodheli ofrojnë performanca të përmbajtura, por thellësisht njerëzore, duke e bërë rrëfimin edhe më të ndjerë dhe realist. Filmi trajton me ndjeshmëri përplasjen e klasave shoqërore, dallimin mes jetës rurale dhe asaj urbane, si dhe ndikimin e globalizimit në jetën e njerëzve të zakonshëm.

“Shame and Money” shfaqet si një dramë e fortë sociale, që nuk flet vetëm për Kosovën, por për një realitet universal: luftën për dinjitet në një botë ku paratë shpesh përcaktojnë vlerën e njeriut. Me rrëfim të ndjerë, regji të matur dhe aktrim brilant, filmi konfirmon Visar Morinën si një nga regjisorët më të rëndësishëm të kinemasë bashkëkohore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



