Futboll

Skëndërbeu konfirmon kreun, kryeqyteti në provën e kryesuesve të Superiores

Nga Gazeta “Si” – Mes Kategorisë së Parë dhe asaj Superiore, futbolli në vend ndahet në 3 ditë.

Fundjava nisi me fitoren e Skëndërbeut në shtëpi ndaj Kastriotit, e 4-ta në 5 ndeshjet e fundit, ku e ka ndalur vetëm AF Luftëtari (1-1).

Presion konstant i djemve të Gjokës (47 pikë) ndaj Laçit (39) dhe Pogradecit (36), skuadrat e vetme që kanë arritur dhe kaluar kuotën e 30 pikëve.

Java e 20-të në Kategorinë e parë vazhdon mesditën e sotme në orën 13:30…

  • Laçi-AF Luftëtari
  • Pogradeci-Korabi
  • Kukësi-Besa
  • Iliria-Apolonia

Bie në sy një ndeshje më e lehtë, të paktën në letër për Laçin krahasuar me Pogradecin që e ndjek me 3 pikë më pak.

AF Luftëtari (në luftë për mbijetesë) duket një kundërshtar më i dobët se Korabi (që ndodhet 1 pikë jashtë play-off’it).

Verdhezinjtë e Maganit do provojnë të shfrytëzojnë maksimalisht krizën e Kukësit, ndërsa Iliria (pas faljes së dënimit) provon të fitojë dhe kalojë Apoloninë në klasifikim.

Po sot do të luhen edhe 3 ndeshjet e para të raundit të 22 në Superiore…

  • Vora-Flamurtari 13:30
  • Partizani-AF Elbasani 16:30
  • Dinamo City-Bylis 19:00

Kuqezinjtë mbërrijnë në mesditë në Vorë me objektivin e vetëm, 3 pikët e rradhës për të dalë sa më shpejt (nëse do t’ja arrijnë) nga zona e ftohtë.

Provë e rëndësishme e Partizanit që pret AF Elbasani në kryeqytet.

Të kuqtë e Kërnajës kanë vetëm 1 fitore në 5 të fundit dhe duan të 2-ën ndaj miqve në “BIG4”.

Dinamo e Dajës duket e qetë në klasifikim (33 pikë) por blutë kryeqytetas vështirë se mund të pranojnë humbjen e 3 në 6 të fundit, kur të presin Bylis (19 pikë) në ndeshjen e fundit të së shtunës.

E diela e ngre siparin në orën 13:30…

  • Lushnja-Burreli

Miqtë udhëtojnë drejt Myzeqesë për të forcuar pozicionin mes skuadrave në play-off.

Ndërsa Kategoria Superiore mbyll javën e futbollit në vend në orën 16:30…

  • Teuta-Vllaznia
  • Egnatia-Tirana

Provë force për kuqeblutë në një transfertë delikate si ajo e “Niko Dovanës” ndaj Teutës në Durrës, atje ku vendasit janë një rival problematik për këdo.

“I mbyturi të mbyt” – një fjalë e urtë popullore të cilës do të provojë ti shpëtojë Egnatia kur të presë në shtëpi Tiranën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë