Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë vitit 2025, tregu shqiptar i sigurimeve arkëtoi mbi 27 miliardë lekë të ardhura, duke shënuar një rritje vjetore prej rreth 10%. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit u nënshkruan rreth 1.7 milionë kontrata sigurimi, ku 91% e tyre i përkisnin sigurimeve të jo-jetës, duke konfirmuar edhe një herë dominimin e këtij segmenti në treg.
Pavarësisht rritjes së të ardhurave dhe fitimeve rekord të kompanive të sigurimit, shpenzimet për dëmshpërblimet e aksidenteve motorike kanë pësuar rënie. Gjatë vitit 2025, kompanitë kanë dhënë vetëm 8.6 miliardë lekë kompensime, rreth 1% më pak krahasuar me vitin 2024. Ky zhvillim ngre pikëpyetje mbi raportin mes rritjes së primeve dhe nivelit të kompensimeve për qytetarët.
Të dhënat tregojnë se 63% e sigurimeve janë me detyrim, kryesisht të lidhura me automjetet. Vetëm ky segment i solli kompanive të sigurimit rreth 17 miliardë lekë të ardhura gjatë vitit 2025, duke mbetur burimi kryesor i fitimeve në industri.
Ndërkohë, një trend pozitiv vihet re edhe në sigurimin e pronës nga zjarri dhe rreziqe të ngjashme, i cili u rrit me 10.25% gjatë vitit 2025. Ky zhvillim nuk lidhet aq me rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për sigurimin e pronës, sesa me shtimin e kredive hipotekore, të cilat detyrojnë huamarrësit të sigurojnë banesat e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



