Nga Gazeta ‘SI’ – Administrata Tatimore u ka kërkuar bizneseve që të dorëzojnë inventarët deri në fund të këtij muaji, ndonëse deri pak ditë më parë sistemi SelfCare (SC), platforma përmes së cilës kryhen raportimet dhe komunikimi me Tatimet, ka qenë jashtë funksionit.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, bizneset duhet të dërgojnë brenda 31 janarit 2026 të gjitha informacionet që lidhen me inventarët, përfshirë produktet, mallrat, çmimet dhe të dhëna të tjera përkatëse.
Në njoftimin zyrtar, Tatimet paralajmërojnë se mosdorëzimi i inventarit në afat, pasaktësitë apo mospërputhjet me të dhënat e fiskalizimit mund ta klasifikojnë tatimpaguesin si subjekt me risk.
“Bazuar në analizën e riskut, duke marrë në konsideratë një sërë indikatorësh si mosdorëzimi në afat, pasaktësia e inventarit apo mospërputhja me të dhënat e fiskalizimit, tatimpaguesi mund të konsiderohet me risk dhe të bëhet objekt i verifikimit në vend për saktësinë e këtij inventari”, thuhet në njoftimin e Administratës Tatimore.
Ndërkohë, që prej fillimit të këtij viti, sistemi SelfCare, ku bizneset raportojnë të dhënat e kërkuara dhe komunikojnë me Tatimet, nuk ka funksionuar për periudha të gjata, duke pamundësuar kryerjen e procedurave brenda afateve ligjore.
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilirjan Binaj, u shpreh disa ditë më parë se probleme të tilla ndodhin kudo dhe se bizneset “mund t’i raportojnë të dhënat në një moment të dytë”. Megjithatë, sipas bizneseve, koha e mbetur deri në fund të afatit ligjor nuk është e mjaftueshme për të përmbushur detyrimet, veçanërisht pas bllokimit të sistemit.
Më 29 janar, Administrata Tatimore njoftoi se sistemi SelfCare ishte vënë sërish në funksion dhe këshilloi që, në rastet kur SC nuk punon, bizneset të lëshojnë fatura të pafiskalizuara, duke i raportuar ato më pas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



