Ka ndodhur

Sarandë, 2 të plagosur pas sherrit me thika dhe dy të arrestuar

Një sherr për motive të dobëta, ka degjeneruar në përdorim të thikës dhe në plagosjen e dy personave në Sarandë.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të qytetit, gjatë një përplasjeje mes Enea Qorrit dhe 27-vjeçarit, Arnest Gjonçaj.

Sipas informacioneve paraprake, Gjonçaj, banues në fshatin Gjashtë, është goditur me thikë pas shpine dhe për shkak të gjendjes së rëndë u transportua me urgjencë drejt Tiranës për trajtim të specializuar mjekësor. Nga përplasja ka mbetur i plagosur edhe Enea Qorri, i cili sipas policisë ka precedentë penalë.

Me anë të një njoftimi për mediet, Policia e Sarandës bën me dije se ka arrestuar dy autorët e plagosjes. “Falë reagimit të shpejtë dhe veprimeve intensive hetimore, u bë e mundur arrestimi i dy personave të dyshuar si autorë të përfshirë në këtë ngjarje. Në pranga ranë shtetasit M.H., 24 vjeç dhe Xh.S., 27 vjeç, ndërsa një tjetër person, F. Gj., është identifikuar dhe është shpallur në kërkim policor”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka nisur për motive të dobëta. Sipas policisë, A. Gj., M.H. dhe Xh.S. kanë shkuar në banesën e B.Q., ku kanë ushtruar dhunë fizike duke përdorur sende të forta (shkopinj) dhe një mjet prerës. Por si pasojë e këtij sherri, janë plagosur Qorri dhe Gjonçaj, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë