Para

Digjitalizimi, ‘thikë me dy tehe’ për bankat në Shqipëri: Rrit rrezikun kibernetik dhe pastrimin e parave

Nga Gazeta ‘SI’ – Transformimi digjital ka ardhur si një “thikë me dy tehe” për sistemin bankar në Shqipëri, të cilat po përballen me përfitimet dhe rreziqet e inovacionit.

Sipas një studimi të kryer nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, më shumë se 45% e bankave në vend e vlerësojnë rrezikun kibernetik “të lartë”,  ndërsa pothuajse 55%, e konsiderojnë atë “të mesëm”.

Investimi i bankave në sisteme të forta sigurie ndaj suleve kibernetike i detyron ato të kontraktojnë palë të tretë duke i bën sistemet bankare të varura dhe të ekspozuara ndaj  kompanive të teknologjisë. Rreth 10.01% e bankave e konsiderojnë këtë si rrezik të lartë dhe 37.64% si rrezik mesatar.

Në mjedisin digjital rriten edhe rreziqet e mashtrimit dhe pastrimit të parave. Sipas vrojtimit, 37.6% e bankave i konsiderojnë këto rreziqe si “të mesme”, ndërsa 23% si “të larta”, duke treguar nevojën për mjete më të avancuara të zbulimit të mashtrimit.

Edhe rreziqet e reputacionit janë të pranishme. Rreth 59.7% e bankave i vlerësojnë ato si “të mesme”, pasi çdo problem, si rrjedhja e të dhënave apo ndërprerja e shërbimeve, mund të dëmtojë imazhin e bankës dhe besimin e klientëve.

Megjithatë, shumica e bankave shfaqen të sigurta se transformimi digjital nuk do të çojë në humbje të konsiderueshme klientësh. Rreth 34.4% e bankave e konsiderojnë rrezikun e humbjes së klientëve si “pa rrezik”, ndërsa 18.87% si “të ulët”.

Por nga ana tjetër, bankat shprehin se përfitimet nga ky proces janë po ashtu të larta. 100% e bankave në Shqipëri pohojnë se digjitalizimi ul kostot e shërbimit, menaxhon flukset e punës dhe optimizon shërbimin. Në të njëjtën kohë, transformimi digjital shihet si nxitës i përfshirjes financiare dhe integrimit europian.

Kur u pyetën për gatishmërinë e tyre për të adresuar rreziqet kibernetike që lidhen me FinTech, bankat shqiptare treguan besim të konsiderueshëm në përgatitjet e tyre. Përafërsisht 65.33% e bankave e vlerësuan veten si «shumë të përgatitura», ndërsa pjesa tjetër prej 30.74% treguan se ishin «të përgatitura».

Pagesat u shfaqën si fusha më e digjitalizuar, ku 23.78% e bankave deklarojnë një nivel «shumë të lartë» digjitalizimi dhe 49.9% raportuan një nivel «të lartë». Shërbimi ndaj klientit vlerësohet fusha e dytë më e digjitalizuar, ku 42.56% e bankave e vlerësojnë digjitalizimin e kësaj fushe si “i lartë” dhe 24% si “shumë i lartë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë