Nga Gazeta “Si” – Ish-presidenti i FIFA-s, zvicerani Joseph “Sepp” Blatter, shprehet në favor të idesë që tifozët të mos udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara gjatë Kupës së Botës (nga 11 Qershori deri më 19 Korrik), për arsye sigurie.
Sepp Blatter shpërndau deklaratat e një avokati antikorrupsion të intervistuar nga gazeta zvicerane “Tages-Anzeiger”. «“Për tifozët, vetëm një këshillë: shmangni Shtetet e Bashkuara!” Mendoj se Mark Pieth ka të drejtë të vërë në dyshim këtë Kupë Bote», shkroi ish-presidenti i FIFA-s (në vitet 1998–2015) në rrjetin “X”.
«Ajo që po shohim në planin e brendshëm – margjinalizimi i kundërshtarëve politikë, abuzimet e shërbimeve të emigracionit, etj. – nuk i nxit aspak tifozët të shkojnë atje», kishte deklaruar Pieth të enjten e kaluar në lidhje me SHBA.
Avokati zviceran, specialist në luftën kundër korrupsionit dhe i mandatuar nga Blatter mes viteve 2011 dhe 2014 për të propozuar reforma në FIFA, u shpreh edhe më qartë në disa paragrafë si më poshtë.
«Për tifozët, vetëm një këshillë: shmangni Shtetet e Bashkuara! Në çdo rast, do ta shihni më mirë në televizion. Me të mbërritur, tifozët duhet të presin që, nëse nuk sillen siç duhet me autoritetet, të dërgohen menjëherë përsëri në shtëpi. Nëse kanë fat… », parashikoi ai.
89 vjeçari Blatter, një kritik i ashpër ndaj Gianni Infantino-s, Presidentit aktual të FIFA-s, ka qenë paraardhësi i tij deri në vitin 2015 kur dha dorëheqjen pasi u përfshi nga një varg skandalesh.
I akuzuar veçanërisht për mashtrim, Blatter, ashtu si edhe Michel Platini, u shpall përfundimisht i pafajshëm në vitin 2025 nga drejtësia zvicerane.
Dy ish-drejtuesit akuzoheshin se kishin «përfituar në mënyrë të paligjshme, në dëm të FIFA-s, një pagesë prej 2 milionë frangash zvicerane» (1.8 milionë euro) «në favor të Michel Platini».
Përballë tensioneve të lindura nga vullneti amerikan për të aneksuar Groenlandën dhe kërcënimeve për rritje të taksave doganore ndaj shteteve evropiane që do t’i kundërviheshin kësaj nisme, në Evropë kanë filluar të dëgjohen zërat e parë që flasin për një bojkot – madje edhe për një anullim – të Kupës së Botës (e organizuar në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



