Ka ndodhur

Plagoset me armë 45-vjeçari në Shijak, dyshohet se i ngacmoi të dashurën autorit

Gazeta Si – Një 45-vjeçar është plagosur me armë zjarri në Shijak mbrëmjen e së martës, ku shkak dyshohet se është bërë një mosmarrëveshje për një vajzë.

Sipas burimeve, Denis Çumani është konfliktuar fillimisht me dy kushërinjtë, Dorian Ferra, 35 vjeç e Indrit Ferra, 38 vjeç dhe më pas konflikti ka degraduar në përdorimin e armës.

Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije se Çumani, i ka dërguar disa mesazhe vajzës, e cila ishte në një marrëdhënie me Indrit Ferrën.

Ditën e djeshme, vajza ishte takuar me Indritin dhe kishin shkuar edhe në një lokal. Gjatë kësaj kohe, asaj i kishin shkuar sërish mesazhi nga Çumani dhe u pikas nga Ferra.

Ngjarja u agravua, pasi vajza po merrte mesazhe të përsëritura nga i dyshuari, të cilat ajo i fshinte për të shmangur përplasjen e 45-vjeçarit me partnerin e saj.

Pasi ka përcjellë për në banesë vajzën, Indriti kishte njoftuar djalin e xhaxhait, Dorianin dhe së bashku kishin vajtur tek Çumani.

Ai ka dalë pasi është thirrur nga dy kushërinjtë. Fillimisht, ata e kanë rrahur dhe pastaj është qëlluar me pistoletë në brinjë. Plumbi e ka përshkuar tejpërtej duke e plagosur rëndë.

I plagosuri fillimisht është transportuar në Spitalin e Durrësit, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, dy kushërinjtë janë në kërkim nga policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë