Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për 19 të ndaluarit në protestën e Partisë Demokratike, të mbajtur në 24 janar.
Të ndaluarit dyshohen se gjatë protestës kanë hedhur molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të Kryeministrisë dhe godinës së Parlamentit, duke shkaktuar tensione dhe rrezik për sigurinë publike. Protesta, e cila fillimisht u zhvillua si tubim politik i opozitës, më pas degradoi në përplasje dhe akte vandalizmi ndaj institucioneve.
Në seancën gjyqësore për vlerësimin e masave të sigurisë, Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar masa më të ashpra për disa prej të ndaluarve. Konkretisht, për 5 persona ishte kërkuar masa “arrest në burg”, ndërsa për 5 të tjerë “arrest në shtëpi”, duke argumentuar se veprimet e tyre përbënin rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe cenim të rendit public, raporton për Klan News gazetarja Glidona Daci.
Megjithatë, trupa gjykuese vendosi të mos pranojë kërkesat e Prokurorisë dhe të caktojë për të 19 të ndaluarit masën më të lehtë “detyrim paraqitje”, duke i detyruar ata të paraqiten periodikisht pranë organeve të drejtësisë dhe të mos pengojnë hetimin.
Të arrestuarit janë: Ardian Lici, Anduel Lleshi, Alan Lika, Anastas Mema, Tomas Koja, Ergi Shkurta, Sali Saraci, Ervis Mirashi, Adrian Toli, Rei Hasko, Bledi Spaho, Eldison Huli, Alket Toska, Leonid Xhebexhiu, Besnik Bali, Elton Hoti, Roni Bizhoti dhe Hamza Cani.
Jashtë ambienteve të gjykatës u mblodhën edhe deputet të opozitës, në mbështetje të të ndaluarve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



