Editorial

Braçe dhe Balla, ju përvodhën debatit të vërtetë

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria vendosi që rreth 4% e buxhetit të vitit të kaluar të rialokonte në disa drejtime të tjera. Ky është një instrument që çdo qeveri përdor herë pas here.

Është legal, por jo moral. Kur paratë e destinuara për një sektor nuk shfrytëzohen, qeveria mund të vendosë t’i dërgojë aty ku ka nevojë më urgjente. Në dukje, kjo duket pragmatike dhe e përgjegjshme: fondet nuk humbasin, qytetarët përfitojnë shërbime, dhe buxheti shfaqet në ekuilibër.

Por pas kësaj lëvizjeje fshihet një dilemë e madhe: a është efikase për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin afatgjatë? Investimet kapitale – infrastruktura, arsim, energji, shëndetësi – nuk janë thjesht shpenzime; ato janë motor i rritjes ekonomike, krijojnë vende pune, rrisin produktivitetin dhe gjenerojnë të ardhura shtesë për buxhetin. Kur këto fonde zhvendosen drejt konsumit, si për pensionet apo ndihma sociale të tjera, ekonomia humbet mundësinë për të zgjeruar vlerën e saj reale. Afatshkurtër, qytetarët mund të ndihen të përfitues, por afatmesëm dhe afatgjatë, shteti humbet kapacitetin për të financuar vetveten dhe për të rritur prosperitetin.

Ekonomikisht, të mirat e rialokimit janë të dukshme: mbyll një boshllëk social, shmang krizën në sektorë urgjentë, dhe tregon fleksibilitet të menaxhimit buxhetor. Politikisht, ai mund të interpretohet si vëmendje për qytetarët, duke qetësuar tensione sociale.

Por të këqijat janë po aq të mëdha. Rialokimi shpesh maskon keqmenaxhimin e fondeve fillestare, tregon mungesë planifikimi dhe dërgon sinjale negative për investitorët dhe biznesin. Kur bëhet praktikë e përsëritur, kjo kthen buxhetin në një mjet politik, jo në instrument zhvillimi. Suficitë e krijuar nga mosrealizimi i investimeve nuk janë sukses, por tregues i paaftësisë për të ekzekutuar projektet që rrisin ekonominë.

Pra, rialokimi është i dobishëm për krizë të menjëhershme, p.sh. katastrofa natyrore, recesion, mungesë ekstreme likuiditeti etj., por nuk duhet të zëvendësojë planifikimin strategjik dhe investimet e qëndrueshme. Një politikë fiskale e mençur kërkon që fondet të përdoren saktë aty ku kanë më shumë ndikim për të ardhmen, dhe jo vetëm për të qetësuar momentalisht nevojat sociale. Nëse kjo balancë nuk ruhet, qeveria mund të fitojë pikë politike sot, por humb të ardhmen ekonomike të vendit nesër.

Por faktkeqësisht shqetësimi më i madh se kjo çështje, sot në kuvend, ishte debati i vetëm i zhvilluar mes Taulant Ballës dhe Erion Braçes, ku ky i fundit kërkonte meritën e propozimit i pari që një pjesë e fondeve të papërdorura t’i kalojë pensionistëve. Pra nuk pati asnjë fjalë debati tjetër për të gjetur se pse fondet për investime nuk u përdorën fare dhe çfarë do të ndodhë me planin e rritjes ekonomike të vendit.

Në vend të kësaj, qytetari mbeti spektator i një mini-dialogu propagande, pa bereqet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë