Nga Gazeta ‘Si’- Në një deklaratë për shtyp me kryeministrin Edi Rama, homologu izraelit Benjamin Netanyahu vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe tha se njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta të historisë njerëzore.
Ai u ndal në dy pika gjatë fjalimit: rritja e numrit të turistëve izraelitë në Shqipëri dhe çelja e Dhomës së Tregtisë në Jeruzalem që sipas tij do të forcojë raportin mes dy vendeve.
“Shqiptarët mbrojtën qindra hebrenj dhe mikpritën shumë të tjerë. Ky është shpirti që ju përfaqësoni.
Kjo është ajo histori që bota duhet ta njohë. Kjo është histori që frymëzon filma. Njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm, moral, që Shqipëria luajti gjatë orëve të errëta të historisë njerëzore. Me çeljen e Dhomës së Tregtisë në Jeruzalem, nesër me praninë e kryeministrit Rama, kjo do të çojë përpara lidhjet ekonomike.
Kemi një mirëkuptim që shkon përtej interesave, por në ndjenjën më të thellë të simpatisë njerëzore, ka një themel afërsie e vëllazërie midis vendeve tona. Numri i turistëve izraelitë që kanë shkuar në Shqipëri është rritur me 800%. Mund t’u them të gjithë izraelitëve që Shqipëria është vend i mrekullueshëm, kështu që shkoni atje”, u shpreh ai.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama kujtoi se Shqipëria ka qenë një strehë për hebrenjtë që i iknin persekutimit në Europë, duke e cilësuar mbrojtjen e tyre gjatë Holokaustit si një trashëgimi unike historike dhe një dëshmi të kurajës morale të brezave të mëparshëm.
Sipas kreut të qeverisë, edhe pse shumica e popullsisë shqiptare është myslimane, u bashkua me vuajtjen e popullit palestinez pa shprehur urrejtje ndaj izraelit.
Ai u shpreh se Shqipëria qëndron e palëkundur kundër antisemitizmit dhe islamofobisë.
“Dua ta theksoj dhe një herë se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi.
Qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht” tha Rama.
Në lidhje me ftesën për në Bordin e Paqes, Rama tha se Shqipëria do të mbështesë të gjitha përpjekjet për paqe, përfshirë planin e paqes për Gazën të presidentit Trump.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



