Gazeta “SI”- Në mesin e filmave të shkurtër që futen në garë për statujën e famshme te Oscar Academy Award është edhe produksioni ku luan aktorja me prejardhje nga Kosova, Luàna Bajrami.
Filmi i shkurtër “Two People Exchanging Saliva” (titull origjinal: “Deux personnes échangeant de la salive”) është bashkëprodhim ndërmjet Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku Bajrami interpreton rolin e Malaise, një shitëse naive dhe intriguese brenda një dyqani luksoz parizien. Ngjarja është e vendosur në një botë distopike ku puthjet janë të ndaluara dhe mund të dënohen me vdekje.
Ky produksion është shpërndarë globalisht nga revista dhe platforma The New Yorker, dhe ka debutuar në festivale të njohura ndërkombëtare, duke përfshirë Telluride Film Festival dhe AFI Fest, ku fitoi çmimin e Jurisë së Madhe për film të shkurtër.

“Two People Exchanging Saliva” është vlerësuar për estetikën e tij në bardhë e zi, tregimin e ndarë në kapituj dhe mënyrën eksperimentale të rrëfimit, që kombinon humor të hollë me një kritikë sociale mbi një shoqëri represive. Filmi ka qenë gjithashtu pjesë e mbi 70 festivaleve të filmit në më shumë se 21 vende, duke fituar çmime të ndryshme para se të kandidonte për Oscar.
Luana Bajrami, e cila luan rolin qendror të Malaise, ka një karrierë në rritje në kinematografinë franceze dhe ndërkombëtare, me role të spikatura edhe në filma të tjerë kritikisht të vlerësuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



