Politike

Rama: Prisnit të më merrte SHBA me helikopter, por do ngrini kartonat që unë të ulem si anëtar

Nga Gazeta ‘Si’– Përpos aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, kryeministri Edi Rama nuk la pa shënjestruar opozitën në fjalën e tij në Kuvend, duke e ironizuar për “parashikime” të dështuara, skenarë amerikanë dhe narrativa që, sipas tij, janë rrëzuar nga vetë realiteti politik.

“Sot ky Kuvend mblidhet për të ratifikuar një akt të vullnetit të mirë të cilin Shqipërisë në radhë të parë kësaj shumice qeverisëse në emër të këtij vendi dhe sigurisht krejt Kuvendit, i takon ta bëjë sa herë vjen në tryezë tema e paqes. Ne shumica kuvendore e Shqipërisë për tre mandate të plota e kemi bërë zëdhënësin dhe punëtorin e paqes në këtë rajon të trazuar edhe kur kjo është dukur dhe madje është komentuar si tradhti.

Ne e kemi çuar Shqipërinë e përkushtuar për paqen deri dhe në krye të OSBE-së, apo në tryezën e KS të OKB ku kemi nderuar flamurin dhe kombin shqiptar”, tha Rama ndërsa shtoi se sot Shqipëria sipas tij qëndron me kokën lart.

Ai nuk i kurseu sulmet dhe ironitë kundër opozitës duke iu referuar pretendimeve për ndërhyrje amerikane dhe skenarëve të paralajmëruar prej saj.

Me sarkazëm, Rama i cilësoi këto narrativa si të dështuara dhe theksoi se ato janë rrëzuar nga vetë zhvillimet politike, ndërsa komentoi edhe deklaratat e opozitës lidhur me protestat dhe rolin e SHBA-së.

Ai hodhi poshtë aludimet e opozitës, për krisje të marrëdhënieve mes SHBA dhe qeverisë shqiptare dhe u shpreh se me votat edhe të opozitës, ai do përfaqësojë Shqipërinë në Bordin e Paqes për Gazën.

“Për muaj me radhë thatë që Amerika do të më bënte mua gjyqin e nderuar prej jush për t’ju kthyer ju në ato karrige ku nuk do të ktheheni kurrë, po s’dolët nga poshtë karriges ku qëndrojnë hijet e rënda të ndenjurat e stërgjyshit tuaj. Ju fituat, sepse e paralajmëruat popullin që mua do të më thërrisnit në Amerikë në datën 20 janar. Po ky ishte lapsus për t’u paraqitur në Prokurorinë Federale. Madje, ju e vulosët fitoren kur festuat kërrimin me forcë të Maduros nga shtëpia e tij në Karakas dhe u thatë shqiptarëve se ajo ishte vetëm një provë gjenerale e ushtrisë amerikane për rrëmbimin e Ramaduros nga ajo zyrë në Kryeministri, që e keni fiksim prej 12 vitesh dhe mblidheni si qindra Romeo të dëshpëruar për një Zhulietë të vetmuar.

Tani, ju mund të mendoni se unë po tallem. Mund të tallen këta me ju. Unë me ju nuk tallem. Unë s’tallem kurrë me fitoret tuaja. Dhe sot ju do të votoni të vërtetën e madhe që unë nuk do ta detyroj ushtrinë amerikane t’i bashkohet protestës suaj nga tarraca e Kryeministrisë, se do të dorëzohem vetë, paqësisht, në duart e autoriteteve ligjzbatuese amerikane që do të vijnë në aeroport në Uashington, do të më marrin me eskortë, do të më çojnë në Shtëpinë e Bardhë për t’u ulur si anëtar i Bordit të Paqes”.

Mandej ai ironizoi deputetët e PD duke thënë se non grata për Sali Berishën do të hiqet në mars 2025.

Sipas tij, parlamenti i Shqipërisë ka vetëm një kuotë për non gratë dhe ajo është zënë për meritë nga Berisha.

“Juve do t’ju dalë fjalë që non grata do të hiqet në mars 2025. Pavarësisht që jemi në 2026, do hiqet në mars 2025. Ai që e ka marrë atë kuotën është i paarritshëm në të gjitha pabesitë që i ka bërë popullit shqiptarë dhe kështu që zor shumë që lëviz ajo kuotë”.

Më tej, ai tha se të hënën e ardhshme do të flasë në parlamentin e Izraelit. “Të hënën e ardhshme do ti drejtohem parlamentit të izraelit si kryeministër i Shqipërisë në të njëjtin format që ju rezervua para pak kohësh presidentit të SHBA-ve. Duke qenë se lista aty është e shkurtër dhe kundërshtarët e bordit sapo e përfunduan numërimin e të gjitha vendeve, a thua se numrat flasin ndonjë gjë të madhe për një vend si i yni, duke i thënë shqiptarëve se prania e Shqipërisë ishte pa vlera, duke të nënvizoj se për Shqipërinë, për mua dhe për ne, është një ftesë dhe nder që nuk ju bëhet të gjitha shteteve të botës”, tha Rama. 

Në fund ai njoftoi se javën e ardhshme do të mbajë një fjalim në parlamentin e Izraelit, ose siç njihet, Knesset.

Ai tha se ky është një nder që i rezervohet dhe do të realizohet në të njëjtin format si ai që kishte presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, pak kohë më parë.

Më pas ironizoi me një akt të fundit opozitën në seancën e sotme, teksa përshëndeti me dy gishtat lart para se të largohej nga salla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë