Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë seancën e radhës plenare.
Në rendin e ditës është parashikuar që të kalojë projektligji për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Kujtojmë se Këshilli i Ministrave e miratoi të mërkurën projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes pas ftesës së presidentit amerikan, Donald Trump. Partia Demokratike ka deklaruar se nuk kanë marrë njoftim për mbledhje të seancës plenare gjatë kësaj jave dhe se është thyer rregullorja.
Megjithatë pavarësisht kësaj, ata deklaruan se do të marrin pjesë pasi mbështesin presidentin Donald Trump.
“Pavarësisht shkeljes së të gjitha rregullave procedurale kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendin, si një provokim të ulët ndaj opozitës dhe qytetarëve shqiptar, nga njeriu që ngërçin e tij me SHBA dëshiron t’ia imponojë Shqipërisë apo të mashtrojë shqiptarët sikur kjo nuk ekziston, ne DO TË MARRIM PJESË nesër në seancë, si mbështetje ndaj përpjekjeve/angazhimit të Presidentit të SHBA për paqen dhe sigurinë globale”, thuhej në një lajmërim të PD-së.
Sjellim ndërmend se presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më herët këtë muaj planet për krijimin e një Bordi për Paqen (Board of Peace) për të mbikëqyrur zbatimin e një plani 20-pikësh për Gazën, një iniciativë që synon të çojë drejt paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Por në fokus të saj nuk do të jetë vetëm kjo çështje, por të gjitha konfliktet në botë.
Kryeministri Edi Rama pas marrjes së ftesës nga Trump, të cilën e ndau me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, shprehu gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë përpjekje.
Ai tha se ky angazhim i Shqipërisë për të qenë pjesë e Bordit do t’i përcillet së shpejti Kuvendit për miratim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



