Nga Gazeta ‘SI’ – Konsumatorët në Shqipëri vijojnë të jenë të pambrojtur, ndërkohë që shteti humb miliona lekë në vit nga informaliteti në tregtinë elektronike. Sipas gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), rreth 90% e blerjeve online në vend paguhen me para në dorë, duke krijuar një kanal të gjerë për evazion fiskal.
Porositë online shpesh u dorëzohen klientëve pa asnjë faturë tatimore, pasi shumë prej këtyre “bizneseve online” nuk janë të regjistruara në asnjë institucion shtetëror dhe operojnë plotësisht “në të zezë”.
KLSH konstaton se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk disponon një mekanizëm efikas për monitorimin e faqeve të shitjes online, duke u mjaftuar vetëm me kontrolle sporadike, të cilat nuk prekin thelbin e problemit.

Të dhënat e mbledhura nga KLSH tregojnë se gjatë vitit 2024, nga rreth 382 miliardë lekë të ardhura të mbledhura nga Tatimet, vetëm 323 milionë lekë janë deklaruar nga bizneset online – ose vetëm 0.08% e totalit.
Një tjetër problem serioz që i lë qytetarët tërësisht të brishtë përballë mashtrimeve është mungesa e kontrolleve dhe e kompetencave të Inspektoriatit të Mbikëqyrjes së Tregut, i cili nuk ka tagër të mbyllë faqet online që operojnë pa NIPT.
Këto faqe, të regjistruara kryesisht me domenin “.al”, administrohen nga AKEP, por sipas KLSH-së mungon koordinimi ndërinstitucional mes AKEP-it, Tatimeve dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
Raporti trajton gjithashtu blerjet në platforma ndërkombëtare si Shein, Temu apo AliExpress, ku theksohet se blerësit, por edhe vetë kompanitë, i ndajnë porositë në disa dërgesa për të mos kaluar pragun prej 22 eurosh dhe për të shmangur taksat doganore. Ky fenomen është i vështirë të verifikohet në çdo moment për shkak të volumit të lartë të punës në administratën doganore.
Sipas raportit, Doganat nuk janë të përgatitura për fluksin në rritje të porosive online, ndërkohë që numri i stafit ka mbetur i pandryshuar. Dogana e aeroportit të Rinasit, e vetmja që trajton postën e shpejtë, nuk disponon asnjë skaner për verifikimin e produkteve apo për goditjen e kontrabandës.

Në përfundim, KLSH rekomandon ngritjen e një Task-Force për tregtinë elektronike, ku institucionet të bashkëpunojnë dhe të shkëmbejnë informacion në mënyrë të vazhdueshme: Tatimet të informohen mbi aktivitetin e Postës, Posta të ndjekë të dhënat e Doganave dhe anasjelltas.
Po ashtu, kërkohet që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, të hartojë dhe zbatojë një profil të dedikuar risku për tatimpaguesit që operojnë në tregtinë elektronike, duke e integruar atë në sistemin e analizës së riskut, me qëllim përzgjedhjen sistematike për kontroll të subjekteve që ushtrojnë aktivitet tregtar online.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



