Treg

Ngec kredia për banesa: Bankat në vend perceptojnë rrezik në tregun imobiliar

Nga Gazeta ‘SI’ – Në muajt e fundit të vitit 2025, shqiptarët e patën më të vështirë për të marrë kredi, për shkak të kushteve më të shtrënguara nga bankat tregtare, të paktën në segmentin e asaj për banesa.

Kjo, sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e katërt 2025, ndodhi si pasojë e perceptimit të rrezikut në rritja nga bankat mbi tregun imobiliar. Po ashtu, bankat raportuan se kufizimet uniforme të vendosura nga Banka e Shqipërisë në korrik 2025, mbi raportin e kredisë ndaj vlerës së pasurisë (LTV) dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave (DSTI) për kreditë e reja për pasuri të paluajtshme, vepruan në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit.

Shtrëngimi i kushteve të kredisë u pasqyrua si kërkesë më e lartë për kolateral në raport me shumën e huasë.

Por, për të njëjtën periudhë, tetor-dhjetor 2025, edhe nga ana e qytetarëve pati një rënie të kërkesës për kredi, si për banesa dhe për konsum. Sipas bankave, kjo tregon një lloj hezitimi mbi zhvillimet e mundshme në tregun e pasurive të patundshme.

Shkalla e miratimit të kredive për individët u raportua më e lartë në tremujorin e fundit. Kjo rritje u ndikua kryesisht nga cilësia e portofolit ekzistues të kredive dhe historiku i marrëdhënieve të kredimarrësve me bankat.

Në tremujorin e parë të vitit 2026, bankat presin që kërkesa për kredi të rritet, si për kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe për kreditë konsumatore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë