Treg

Kërcënimet e Donald Trump fundosin bursat dhe rrisin çmimin e arit

Kërcënimet e Donald Trump ndaj Europës për kontrollin e Groenlandës kanë zhytur bursat.

Të martën e 20 janarit, aksionet e S&P 500 ranë 112 pikë, ose 1.61%, Nasdaq 100  humbi 505.25 pikë, ose 1.97%, dhe Dow Jones ra 728 pikë, ose 1.47%. Aksionet europiane matur nga Stoxx Europe 600 ranë me 1.4%.

Dollari u dobësua përballë valutave kryesore dhe euro u rrit me 0.7%, jeni japonez me 0.2% dhe paundi britanik me 0.4%.

Tronditjen e ndjenë edhe monedhat virtuale, me Bitcoin që ra me 2.1% në vlerën e 90.99 mijë dollarëve dhe Ether me 3.6% në 3 mijë dollarë.

Nga ana tjetër, asetet e sigurta si Ari u rritën fort, 1.3%, duke prekur çmimin e 4.732 dollarë për onz dhe nafta Brent u rrit me 0.2% në 64 dollarë për fuçi.

Trump njoftoi të shtunën se tarifat shtesë 10% mbi importet do të hynin në fuqi më 1 shkurt për mallrat nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Holanda, Finlanda dhe Britania e Madhe, të gjitha vendet që tashmë janë subjekt i tarifave të vendosura nga SHBA-ja.

Tarifat do të rriteshin në 25% më 1 qershor dhe do të vazhdonin deri në arritjen e një marrëveshjeje për blerjen e Grenlandës nga SHBA-ja, shkroi Trump në një postim në Truth Social. Liderët e Grenlandës, një territor autonom i Danimarkës, dhe Danimarka kanë insistuar se ishulli nuk është për shitje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë