Politike

Rama i përgjigjet ftesës së Trump për Bordin e Paqes: Së shpejti kalon në Kuvend për miratim

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, njoftoi se i ka përcjellë Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e tij për ftesën për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. 

Në një postim në rrjetet sociale ku ka shpërndarë edhe letrën e plotë, Rama shkruan se ky angazhim i Shqipërisë për të qenë pjesë e Bordit do t’i përcillet së shpejti Kuvendit për miratim.

Në letrën e tij, Rama vlerëson angazhimin e Trump për themelimin e Bordit të Paqes dhe falënderimin për të ftuar atë personalisht për të qenë pjesë e tij dhe Shqipërinë si anëtare themeluese.

“Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente”, shkruan Rama.

Sipas tij, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.

Ai shkruan se Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shpreh gatishmërinë për t’u bërë pjesë e një angazhimi të përbashkët.

“Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim. Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare”, shkruan ndër të tjera Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë