Gazeta Si – Një sherr mes dy personave pas një aksidenti me automjetet e tyre, ka shkaktuar vrasjen e një 57-vjeçari me çekiç, të identifikuar si Petrit Ndou.
Sipas policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 00:40, në aksin rrugor Mamurras-Fushë Krujë, pranë fshatit Bushnesh, ku Andi Vokri, 28-vjeç ka qëlluar me çekiç 57-vjeçarin. I riu banues në Thumanë është arrestuar menjëherë pas ngjarjes së rëndë.
Automjetet që po drejtonin viktima dhe autori, dyshohet se janë fërkuar, çka ka sjellë një përshkallëzim të situatës mes drejtuesve të tyre.
Ndou ka qenë duke udhëtuar në makinë me bashkëshorten e tij, ndërkohë që autori i dyshuar, i shoqëruar nga dy persona të tjerë, lidhje të afërta të tij.
Sipas të dhënave paraprake, pas përplasjes ka nisur një konflikt fizik mes palëve. Si pasojë, ka mbetur i vdekur Petrit Ndou, banues në Pukë.
Viktima ka marrë një plagë të rëndë në kokë, ndërsa në vendngjarje është gjetur edhe një çekiç, i cili dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit nga ana e 28-vjeçarit, duke i shkaktuar plagë fatale.
Autori është shoqëruar në polici dhe po merret në pyetje nga grupi hetimor. Paralelisht, policia po mbledh dëshmitë e dëshmitarëve okularë, si dhe po analizon provat materiale për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



