Futboll

‘Clash of Lions’ në Finalen e Rabatit

Nga Gazeta “Si” – “Luanët e Terangës” përballen me “Luanët e Atlasit” në Rabat për të shkruar historinë: një titull i parë kontinental pas 50 vitesh për vendasit e Marokut, ose një trofe i dytë brenda katër vitesh për kampionët në fuqi, Senegalin.

Ndërkohë Nigeria mposhti Egjiptin me penallti (4-2 pas barazimit 0-0) në Casablanca për vendin e tretë.

Kjo ishte hera e 9 që “Super Eagles” u renditën në vendin e 3 në historinë e “AFCON”.

Për Senegalin dhe Marokun kjo do të jetë Finalja e parë mes tyre në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Maroku ka avantazhin e fushës në Rabat, por nuk e ka fituar turneun që prej vitit 1976.

Për Senegalin, është Finalja e 3-të e në 4 edicionet e fundit, pas triumfit në vitin 2021 dhe vendit të 2-të në edicionin 2019.

Një muaj emocionesh në futbollin afrikan arrin kulmin sot në Rabat ku do të zhvillohen 90 minutat e fundit të edicionit të 35-të në “AFCON”.

Finalja vë përballë dy skuadrat më të mira të Kontinentit në renditjen e FIFA-s. 

Maroku në vendin e 11-të dhe Senegali në vendin e 19-të, një përballje mes dy historive më të mëdha të suksesit në futbollin afrikan gjatë 10-të viteve të fundit.

Për Senegalin, finalist në 3 nga 4 edicionet e fundit, një fitore do të justifikonte vendimin e zëvendësimit të Aliou Cissé me Pape Thiaw në vitin 2024, si edhe do të përforconte statusin e kësaj gjenerate si një nga më të suksesshmet në futbollin afrikan.

Mirëpo fitorja e sotme do të thotë shumë më tepër për Marokun, aq sa trajneri Walid Regragui ka theksuar tashmë se çdo rezultat tjetër përveç fitores do të konsiderohet si dështim.

  • Formacionet e mundshme:

Senegal: Mendy; Diatta, Sarr, Niakhate, Diouf; Diarra, I. Gueye, P. Gueye; Ndiaye, Jackson, Mane

Marok: Bono; Hakimi, Aguerd, Masina, Mazraoui; El Aynaoui; Diaz, El Khannouss, Saibari, Ezzalzouli; El Kaabi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë