Gazeta Si – SPAK ka përfunduar hetimet për grupin e trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Shqipëri përmes lëkurës së bagëtive, ku ndarja e lëndës narkotike do të bëhej në një laborator në zonën e Qerekës në Krujë.
Organi i akuzës ka nisur komunikimin e mbylljes së hetimeve për personat e dyshuar që u arrestuan në muajin nëntor të vitit 2024, pas një hetimi të kryer nga prokurori Adnan Xholi.
Të dyshuar për trafikun e drogës janë shtetasit Geis Gejsullai, Klajd Birçe, Aldi Zonja, Artion Çaushllari, Endi Sejdini, Ismail Abdurrahmani, Baki Huqi dhe tre të huaj, 2 prej të cilëve venezuelianë dhe një kolumbian.
Hetimi për trafikun e kokainës nisi pas një indicie mbi laboratorin e drogës në Frakull të Fierit në vitin 2021, ku pranë banesës së ish funksioniarit vendor, Viktor Çervanaku, u zbuluan nga policia një sasi e madhe droge e llojit kokainë prej 485 kg, e fshehur në plehra kimikë.
Prokuroria ndau çështjen në fraksion dhe ra në gjurmët e një tjetër grupi kriminal, i cili transportonte kokainë nga Amerika drejt Shqipërisë përmes lëkurës së kafshëve.
Në bazë të hetimeve SPAK ka qenë në dijeni të lëvizjeve të grupit me bazë në Qerekë dhe i kanë lënë të lirë të veprojnë në 2 ngarkesat e fundit, në shtator dhe në nëntor, për të sjellë 48 tonë lëkurë gjedhi, brenda të cilave dyshohet se kishte edhe kokainë.
Gjatë kontrolleve në laboratorin në Qerekë në atë kohë u gjetën 850 lëkurë të bagëtish, në të cilat dyshohet se ishte tretur dhe kokainë.
Grupi i trafikut ndërkombëtar të drogës dispononte një laborator të përpunimit të kokainës në Qerekë të Krujës dhe 2 ambiente mbështetëse në Tiranë dhe Durrës.
Nga hetimet rezulton se ata përdornin një biznes për të kamufluar trafikim, nëpërmjet një kompanie në fushën e tregtisë së mallrave indrustriake.
Ky subjekt kreu një pagesë më 11 maj të vitit 2024 me vlerë 23 mijë dollarë tek një firmë me vendndodhje në Republikën Domenikane, periudhë që u porosit edhe një sasi prej 24 tonë lëkurë gjedhësh (me kripë).
SPAK ka dyshime që grupi kriminal mund të ketë nxjerrë drogë nga laboratori edhe për llogari të grupeve të tjera kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


