Nga Genti Kromidha- Ligji i ri për gjuetinë në Shqipëri, i miratuar në dhjetor 2025, rikthen aktivitetin e gjuetisë pas një moratoriumi 12-vjeçar, duke pretenduar masa të rrepta për mbrojtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ai e konsideron faunën e egër pasuri kombëtare dhe vendos mekanizma për monitorim e kontroll, por ekziston frika se gjuetia mund të kthehet në presion mbi speciet e rrezikuara, për shkak të mungesës së burimeve të mjaftueshme institucionale për zbatimin e ligjit në terren.
Procedurat e lejeve dhe kriteret e moshës synojnë ta bëjnë aktivitetin më të kontrollueshëm, ndërsa gjobat e larta dhe monitorimi institucional janë menduar si garanci kundër abuzimeve. Megjithatë, organizatat mjedisore nuk kanë reaguar fuqishëm ndaj miratimit të ligjit, duke e parë kryesisht si një hap pozitiv drejt kontrollit të gjuetisë, pa u ndalur në problematikat e dispozitave specifike.

Çështja më kritike e ligjit është përcaktimi dhe menaxhimi i zonave të gjuetisë. Ligji ngarkon bashkitë me përgjegjësinë e përcaktimit të zonave, megjithëse dihet se ato nuk kanë mjetet dhe burimet e nevojshme për ta kryer këtë proces si duhet. Menaxhimi i zonës së gjuetisë i besohet një menaxheri të përzgjedhur me tender, i cili ka kompetenca të plota, përfshirë hartimin e planit vjetor të përdorimit të faunës së egër. Ky rol i gjerë i menaxherit, i orientuar drejt biznesit, ngre shqetësime mbi saktësinë e inventarit të llojeve dhe rrezikun e manipulimeve, sidomos kur ligji lejon gjuetinë vetëm deri në 10 për qind të shtesës natyrale të popullatës së një lloji.
Ligji përcakton gjithashtu që qiraja e zonës së gjuetisë të llogaritet mbi bazën e vlerës së gjuetisë vjetore, duke e lidhur drejtpërdrejt me inventarizimin e kafshëve të egra. Por, në mungesë të menaxherit, nuk është e qartë kush e kryen inventarin, duke lënë hapësirë për pasaktësi dhe abuzime. Për më tepër, menaxheri përcakton edhe tarifat për përdorimin e zonës, duke i bazuar në planin e biznesit që i ka siguruar menaxhimin.
Dispozitat kalimtare e ngarkojnë qeverisjen vendore me të gjitha përgjegjësitë e menaxherit deri në përzgjedhjen e tij, duke krijuar mbingarkesë dhe konfuzion. Njëkohësisht, ligji përcakton se gjuetia nuk mund të ushtrohet në asnjë zonë pa miratimin e planit vjetor të përdorimit të zonës së gjuetisë, i cili duhet të hartohet nga bashkitë. Kjo ose e bën të pamundur hapjen e gjuetisë, duke zgjatur moratoriumin me pengesa ligjore, ose krijon hapësira të gjera për abuzime.
Si përfundim, ligji i ri për gjuetinë, ndonëse paraqitet si një instrument modern për menaxhimin e faunës së egër, në praktikë ngre më shumë pikëpyetje sesa zgjidhje. Ngarkimi i bashkive me detyra që tejkalojnë kapacitetet e tyre, fuqizimi i menaxherit privat me kompetenca të gjera dhe paqartësitë mbi inventarizimin e faunës krijojnë një terren të pasigurt për zbatimin e ligjit. Pa transparencë, pa burime të mjaftueshme dhe pa mekanizma të fortë kontrolli, ky ligj rrezikon të kthehet në një burim abuzimesh dhe të minojë përpjekjet e deritanishme për mbrojtjen e biodiversitetit në Shqipëri.
Një rrugëdalje e arsyeshme për të adresuar mangësitë e ligjit aktual për gjuetinë do të ishte zgjatja e ndalimit të gjuetisë për një periudhë 2–3 vjeçare. Kjo do të krijonte hapësirën e nevojshme për të organizuar një sistem të ndërlikuar, për të hartuar aktet nënligjore që mungojnë, për të përgatitur një program kombëtar të gjuetisë dhe për të përcaktuar qartë zonat ku ajo mund të zhvillohet. Në të njëjtën kohë, kjo periudhë do të shërbente për trajnimin dhe forcimin e kapaciteteve të stafeve lokale, duke garantuar zbatimin korrekt dhe të qëndrueshëm të ligjit, në përputhje me standardet e mbrojtjes së biodiversitetit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.
*Genti Kromidha është drejtori i Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



