Mbajtësit e tigrave në Indi po ndalojnë përdorimin e telefonave gjatë udhëtimeve safari. Këtu lind pyetja: a duhet të ndryshojmë mënyrën si sillemi si turistë në natyrë?
Imagjinoni sikur jeni në një Jeep në mes të pyllit dhe papritur shfaqet një tigër. Instinktivisht merrni telefonin për ta fotografuar, ndoshta edhe për një selfie. Një moment i jashtëzakonshëm, por që mund të jetë problematik për kafshën.
Një vendim i Gjykatës së Lartë në Indi, në fund të vitit 2025 ka ndaluar telefonat në zonat kryesore të disa rezervateve. Arsyeja është e thjeshtë: përdorimi i tyre dhe sjellja e turistëve po bëhen të rrezikshme si për njerëzit ashtu edhe për kafshët.
Në një video që u bë virale këtë vit nga Ranthambore National Park, një tigër shihet i rrethuar nga makina safari dhe i detyruar të largohet mes tyre, ndërsa turistët bërtasin dhe bëjnë foto. Këto situata, të quajtura “bllokime safari”, po ndodhin gjithnjë e më shpesh.
Problemi është se sot turistët nuk duan vetëm të shohin kafshët duan edhe të tregojnë në rrjete sociale që i kanë parë.
Çfarë ndryshon tani?
Telefonat nuk lejohen gjatë udhëtimeve safari (duhet të lihen ose të mbahen të fikur).
Ndalohet qarkullimi në rezervate natën dhe kufizohet ndërtimi pranë zonave të mbrojtura.
Sipas gazetares Charukesi Ramadurai, njerëzit janë bërë të pakujdesshëm vetëm për një foto. Ka pasur raste kur telefonat bien dhe guidat detyrohen të rrezikojnë për t’i marrë. Madje, një fëmijë ka rënë nga makina sepse nëna po bënte selfie pranë një tigri.
India ka mbi 3,600 tigra të egër, rreth 75% e gjithë popullsisë në botë. Shumica jetojnë në rezervate si Jim Corbett National Park. Por rritja e numrit të tyre ka sjellë edhe më shumë turistë, jo gjithmonë me respektin e duhur për natyrën.
Në pesë vitet e fundit, janë regjistruar qindra raste fatale nga sulmet e tigrave.
Sipas Sharad Kumar Vats, telefonat kanë ndikuar shumë: drejtuesit e safarive komunikojnë mes tyre përmes WhatsApp për të treguar ku ndodhen tigrat, duke krijuar turma makinash. Edhe postimet me vendndodhje në rrjetet sociale bëjnë që të gjithë të shkojnë në të njëjtin vend.
Mbrojtja e mjedisit vjen e para
Legjislacioni i ri i Gjykatës Supreme ka ndaluar gjithashtu safarit gjatë natës, pasi ato shqetësojnë tigrat, dhe ka kufizuar zhvillimin urban në zonat periferike rreth rezervateve kombëtare të tigrave. Vendimi i jep përparësi turizmit të qëndrueshëm, duke u fokusuar në mbështetjen e bujtinave dhe strukturave të menaxhuara nga komuniteti, si dhe duke zhvlerësuar çdo gjë që i ngjan turizmit masiv. Operatorëve turistikë iu dha një afat prej tre deri në gjashtë muaj për të zbatuar këto masa, ndërsa efekti real pritet të shihet më vonë këtë vit, kur rezervatet të hapen pas sezonit të monsooneve.
Për Ritu Makhija, konsulente për turizmin e qëndrueshëm me bazë në Mumbai, këto ndryshime kërkojnë një përshtatje në shkallë të gjerë nga industria e turizmit.
“Parimi është i thjeshtë dhe i domosdoshëm: mbrojtja e mjedisit vjen e para,” tha ajo. “Operatorët duhet të dizajnojnë përvoja ditore të mirëmenaxhuara, duke lëvizur përtej fokusit të vetëm te shikimi i tigrit. Bujtinat duhet të përafrohen plotësisht me normat mjedisore dhe të investojnë në infrastrukturë me ndikim të ulët, ndërsa planifikuesit e udhëtimeve duhet të ndryshojnë pritshmëritë e vizitorëve drejt përvojave më të ngadalta dhe më gjithëpërfshirëse në botën e egër.”
Një thirrje globale për ndryshim
India nuk është vendi i vetëm që po shtrëngon rregullat për botën e egër.
Pas pamjeve shqetësuese filmike të marra gjatë migrimit të disa kafshëv e të egravitin e kaluar, ku turistët bllokuan rrugën e kafshëve migruese, Ministria e Turizmit dhe Botës së Egër në Kenia shpalli standarde të reja sjelljeje për operatorët turistikë, duke u kërkuar atyre t’u përmbahen rregullave më të rrepta ose të përballen me pasoja disiplinore apo ligjore. Rregullore të reja rreth vëzhgimit të arinjve polarë në Svalbard hynë në fuqi gjithashtu vitin e kaluar, duke kërkuar që anijet turistike të qëndrojnë 300 deri në 500 metra larg grabitqarëve, në varësi të sezonit. Në Sri Lanka, mbipopullimi në parqet kombëtare ka shtyrë operatorët lokalë të kërkojnë ndërhyrje më të fortë qeveritare dhe rregullim më të mirë.
Ky është një sinjal i qartë se nevojitet një ndryshim domethënës brenda turizmit të botës së egër për të rimenduar se si kujdesi dhe turizmi mund të bashkëpunojnë. Ndërsa industria indiane e turizmit i mirëpret gjerësisht ndryshimet, po ngrihen pyetje nëse qasja e Indisë është mjaftueshëm e thellë dhe nëse disa ndërhyrje kërkojnë një mendim më të kujdesshëm./BBC
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje