Gazeta “SI”- Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) dhe Universiteti i Arteve kanë nënshkruar marrëveshjen e parë të bashkëpunimit, me qëllim ofrimin e mbështetjes financiare dhe profesionale për prodhimet filmike të studentëve.
Marrëveshja u firmos nga kryetari i QKK-së, Jonid Jorgji, dhe rektori i Universitetit të Arteve, Erald Bakalli, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin e talenteve të reja në kinematografi.
Sipas marrëveshjes, studentët do të përfshihen praktikisht në fusha të ndryshme të filmit, si aktrimi, regjia, skenografia dhe disiplina të tjera të industrisë, gjatë xhirimeve dhe procesit të prodhimit të projekteve të financuara nga QKK.

“Ky është një hap konkret drejt fuqizimit të talenteve të reja, duke u dhënë atyre mundësinë që, pas përfundimit të studimeve, të kenë një portofol profesional dhe projekte të cilat shërbejnë si nisje e karrierës,” njoftoi QKK, duke shtuar se bashkëpunimi me UA do të zgjerohet me programe të tjera të rëndësishme për industrinë filmike.
Kryetari i QKK-së, Jonid Jorgji, theksoi nevojën për zhvillimin e kinematografisë në vend, duke mos e lënë atë të funksionojë si një “ishull”. Ai gjithashtu propozoi që kinematografia të shihet jo vetëm si art, por edhe si ekonomi.

QKK dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve synojnë, përveç financimit të filmave, krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të industrisë filmike, duke lidhur kinematografinë me ekonominë kreative, turizmin dhe promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



