Nga Gazeta ‘SI’ – Shqiptarët kanë shpenzuar më pak para online gjatë muajit nëntor, duke shënuar një rënie të ndjeshme të aktivitetit ekonomik përmes kanaleve digjitale.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë këtij muaji kanë qarkulluar gjithsej 210 miliardë lekë në atë që njihet si homebanking ose bankimi nga shtëpia. Kjo shifër përfaqëson vlerën më të ulët të shpenzuar që prej shkurtit të vitit të kaluar, duke reflektuar një rënie prej 11% në krahasim me muajin tetor.
Gjatë nëntorit u regjistruan rreth 967 mijë transaksione, ku përfshihen pagesat utilitare, transfertat dhe blerjet e ndryshme online, çka përbën një tkurrje prej 10.4% në numrin e veprimeve krahasuar me tetorin. Megjithatë, parë në një optikë më të gjerë, volumi total i shpenzimeve mbetet i lartë. Për periudhën janar-nëntor 2025, shqiptarët kanë shpenzuar mbi 1,100 miliardë lekë në rrugë elektronike.
Sipas Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit, të publikuar në dhjetor 2025, tendenca e përdorimit të internetit për tregti mbetet në rritje në nivel vjetor. Më shumë se 45% e shqiptarëve kanë kryer të paktën një blerje online gjatë 12 muajve të fundit, duke u rritur me 3 pikë përqindje. Rrobat dhe dërgesat e ushqimit mbeten shërbimet kryesore që dominojnë këtë treg, me përkatësisht 97% dhe 61% të preferencave.
Përveç blerjeve, aktivitete të tjera në internet kanë pësuar rritje të konsiderueshme. Kërkimi i informacioneve për mallra dhe shërbime u rrit me 10.7 pikë përqindje, shërbimet e-banking me 7.7 pikë përqindje dhe përdorimi i rrjeteve sociale me 5.7 pikë përqindje, duke dëshmuar një varësi gjithnjë e më të madhe të qytetarëve nga shërbimet digjitale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



