Nga Gazeta Si – Newcastle United dhe Manchester City do të përballen në “St James’ Park” në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Ligës (EFL Cup).
“Magpies” synojnë të mbrojnë triumfin në “EFL Cup 2024-25”, ndërsa “Citizens” përpiqen të rikthejnë trofeun për herë të parë që nga sezoni 2020-21.
Newcastle i dha fund pritjes 70-vjeçare për një trofe madhor kur fitoi “EFL Cup” në sezonin 2024-25, me golat e Alexander Isak dhe Dan Burn, 2-1 ndaj Liverpool-it në stadiumin “Wembley”.
Skuadra e Howe ka mposhtur bindshëm Bradford City 4-1 në raundin e tretë, Tottenham Hotspur 2-0 në raundin e katërt dhe duke kaluar me avantazh minimal, Fulham 2-1 në çerekfinale, falë golit në minutën e 92-të nga Lewis Miley.
Tani përballë provës më të vështirë në mbrojtjen e trofeut, Newcastle do të presë Manchester City-n në “St James’ Park” për gjysmëfinalen e parë.
Ndërsa do të udhëtojë drejt “Etihad Stadium” në fillim të Shkurtit për ndeshjen e kthimit.
Megjithatë, Newcastle ka një bilanc të mirë të kohëve të fundit ndaj Man City-t në shtëpi, duke fituar dy ndeshje, barazuar një dhe humbur një nga 4 përballjet e fundit në “St James’ Park”.
Po ashtu, “Magpies” kanë mposhtur City-n në dy përballjet e fundit mes tyre në “EFL Cup”.

Newcastle vjen pas tre fitoreve dhe një barazimi në 4 ndeshjet e fundit – përfshirë një fitore dramatike 7-6 me penallti ndaj Bournemouth.
Gjithashtu nuk humbet prej 13 ndeshjesh rradhazi në shtëpi (10 fitore dhe 3 barazime).
Edhe Manchester City ka një seri të shkëlqyer rezultatesh, duke qenë i pamposhtur në 12 ndeshjet e fundit, me 9 fitore dhe 3 barazime, përfshirë një fitore shkatërruese 10-1 ndaj Exeter City në ndeshjen e fundit.
Pavarësisht formës së shkëlqyer, City ka hasur vështirësi në këtë kompeticion në sezonet e fundit, duke u eliminuar në raundin e tretë në 2023-24, në raundin e katërt në sezonet 2021-22 dhe 2024-25, si dhe në çerekfinale në 2022-23.
Si rezultat, fitoret ndaj Huddersfield Town (2-0), Swansea City (3-1) dhe Brentford (2-0) e kanë çuar Manchester City-n në gjysmëfinalen e parë të “EFL Cup” që nga seria e jashtëzakonshme e 4 titujve radhazi mes 2017-18 dhe 2020-21.
Me ndeshjen e kthimit të planifikuar në fillim të Shkurtit në “Etihad Stadium”, Guardiola do të kërkojë që skuadra e tij të marrë një rezultat pozitiv nga kjo përballje e parë, duke shmangur një përsëritje të humbjes 2-1 si ajo në “Premier League”, Nëntorin e kaluar.
Fitorja e fundit e Manchester City-t në “St James’ Park” daton 2 vite para kësaj gjysmëfinale të “EFL Cup”, kur Bernardo Silva, Kevin De Bruyne dhe Oscar Bobb shënuan në një fitore dramatike 3-2 ndaj “Magpies”, me një gol vendimtar në minutën e 91-të nga norvegjezi.
- Formacionet e mundshme
Newcastle United: Ramsdale; Miley, Thiaw, Botman, Hall; Tonali, Guimaraes; Gordon, Woltemade, Barnes; Wissa
Manchester City: Trafford; Nunes, Khusanov, Alleyne, O’Reilly; Gonzalez; Cherki, Foden, Reijnders, Doku; Haaland
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



