Nga Gazeta ‘SI’ -Banka e Shqipërisë ka publikuar strategjinë e saj për katër vitet e ardhshme, me fokus tek shëndeti i të gjithë sistemit bankar.
Një ndër masat kryesore që parashikon BSH është monitorimi i kujdesshëm i rrezikut të kredisë dhe cilësisë së tij, veçanërisht në rastet e ekspozimeve të ndjeshme apo në sektorët më vulnerabël.
Banka gjithashtu synon të vendosë kërkesa të diferencuara të kapitalit, në varësi të bankës dhe nivelit të rrezikut që ajo mbart. Strategjia parashikon edhe shkëmbimin e informacionit dhe realizimin e ekzaminimeve të përbashkëta me autoritete të ndryshme brenda vendit, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare, si dhe me autoritete të huaja.
Një objektiv tjetër është edhe integrimi i faktorëve ESG (mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes) në procesin mbikëqyrës. Kjo përfshin edhe vlerësimin e ndikimit të rreziqeve financiare të lidhura me klimën dhe mjedisin në bilancet e bankave.
Përmirësimi i cilësisë së drejtimit, rritja e rolit dhe e pavarësisë së strukturave që menaxhojnë rreziqet dhe funksionet e kontrollit të brendshëm, mbetet një tjetër objektiv kryesor i Bankës.
Po ashtu, parashikohen kontrolle periodike për vlerësimin e ekspozimit ndaj rrezikut kibernetik dhe për adaptimin e teknologjive të reja, përfshirë Inteligjencën Artificiale, në funksion të përmirësimit të shërbimeve ndaj klientëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



