Nga Gazeta ‘Si’-Banorët në Durrës, siç u paralajmërua, kanë dalë në protestë këtë pasdite të 9 janarit pas situatës problematike të përmbytjeve.
Banorët e zonës bëjnë përgjegjës institucionet për mungesë përgjegjësie dhe angazhimi për të bërë pastrimin në kohë të kanaleve kulluese.
“Unë kam dalë sot të protestoj dhe të kërkoj të drejtën time. Shtëpi më është përmbytur. E kam shtëpinë afër burgut. Asnjë nuk ka ardhur. I kemi njoftuar, por presin të largohet uji. I kërkoj bashkisë së Durrësit të jenë pranë qytetarëve. Janë në ujë të gjithë njerëzit. Është hera e tretë që përmbytemi, asnjë dëmshpërblim nuk kemi marrë”, u shpreh një qytetare.
Ata kanë hedhur dyshime se ata banorë që sot nuk janë në protestë janë intimiduar dhe shantazhuar nga Qeveria duke i kërcënuar me dëmshpërblimin.
“A keni gjë në dorë? Do ju vrasin? Unë jam nëna juaj jam 74 vjeç. A keni ju prindër? Gjithë ky popull kaq i mirë si po ju duron? U sos durimi!”, shprehet një prej tyre.
“Është e qartë që të gjithë këta policë ka ardhur për të shoqëruar djemtë. Njërin e dërguan në komisariat. Këta nuk kapën asnjë nga ata që plasën fishekzjarre për Vitin e Ri, por njerëzit e lirë. E drejta e protestës është e garantuar nga ligji dhe Kushtetuta. Ju lutemi mos u sprapsi. Disa janë intimiduar dhe nuk kanë ardhur sepse u kanë thënë nuk do t’ju japim dëmshpërblim. Kjo është qeveria e shantazhit. Ku ka para për shishe vere, ka edhe lekë për dëmshpërblime”, tha një tjetër.
Durrësi u ‘paralizua’ totalisht nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Edhe pse reshjet e shiut pothuajse kanë ndaluar, uji akoma nuk është larguar nga disa zona.
Situata më kritike paraqitet në Njësinë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku lumi i Erzenit ka dalë nga shtrati dhe një pjesë e banorëve është evakuuar.
Si pasojë e motit të keq, në Durrës u raportua edhe një viktimë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




