Nga Gazeta ‘Si’- Pas ditëve me diell vendi është përfshirë gjatë ditës së sotme nga mot i keq me reshje shiu, temperatura të ulëta dhe reshje dëbore në zonat malore.
Reshjet e borës përfshinë territorin e bashkive Pukë e Fushë Arrëz mëngjesin e kësaj të premteje, teksa temperaturat kanë zbritur minus.

Segmentet rrugore rurale momentalisht janë të kalueshme, ndërsa trashësia e borës pritet të krijojë probleme kryesisht në aksin rrugor Kryezi -Iballës ku trashësia e borës në Qafën e Sharit i ka kaluar 20 cm.
Reshjet e dëborës kanë përfshirë këtë mëngjes edhe qytetin e Shkodrës dhe zonat përreth, ndërsa nuk ka akse rrugore të bllokuara dhe qarkullimi zhvillohet normalisht.
Për shkak të prezencës së akullit, përgjatë segmentit Milot-Kalimash u regjistruan tre aksidente rrugore, ku janë përfshirë rreth 15 automjete, mes tyre një mikrobus me pasagjer dhe një autoambulancë.
Nga aksidentet u dëmtuan gjashtë persona, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në spitalin e Rrëshenit dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Rruga e Kombit, në të dyja drejtimet e lëvizjes Kukës – Tuneli i Kalimashit, po përballet me reshje të dendura shiu të shoqëruara me erë të fortë, çka e bën qarkullimin më të vështirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




