Dy persona, burrë e grua, raportohet se kanë humbur jetën, ndërdsa tre të tjerë kanë mbetur të plagosur, në një aksident tragjik mëngjesin e kësaj të premteje në aksin rrugor Lezhë-Shkodër. Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se dy viktimat janë një çift bashkëshortësh nga Puka, të cilët janë identifikuar si Elona Florini 42 vjeç dhe Petrit Florini, 53 vjeç, ky i fundit me detyrë efektiv policie, ndërsa gruaja me profesion mësuese.

Sipas informacionave paraprake, dy automjetet janë përplasur me njëra-tjetrën në afërsi të fshatit Gocaj. Forcat zjarrfikëse kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave nga automjeti.
“Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Lezhë-Mabë”, në vendin e quajtur Gocaj, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete: automjeti me drejtues shtetasin F. L. dhe automjeti me drejtues shtetasin P. F. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtetasi P. F., rreth 53 vjeç, si dhe pasagjerja në këtë mjet, shtetasja E. F., rreth 45 vjeç, bashkëshortë. Gjithashtu, janë dëmtuar 3 pasagjerë që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin F. L., konkretisht bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Edhe një ditë më parë, tre të rinj humbën jetën në një aksident tragjik në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Viktima mbetën Anxhelo Ruçi, 27-vjeç, Martin Dulaj, 25 vjeç si edhe Klejdi Myftari, 24 vjeç. E plagosur rëndë mbeti Arsida Demiri, e cila ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




