Futboll

Kupa e Afrikës, një prej përfaqësueseve kualifikohet mes 16 më të mirave pa shënuar asnjë gol

Faza e grupeve të Kupës së Kombeve të Afrikës ka përfunduar dhe tashmë janë mësuar 16 ekipet që kanë siguruar kualifikimin në raundin e 16-shes. Pas tre ndeshjeve, bilanci nxjerr në pah dominimin e Algjerisë dhe surprizën e madhe të Sudanit.

Ekipi më i mirë i fazës së parë ishte Algjeria e drejtuar nga trajneri Vladimir Petkoviç, e cila e mbylli Grupin E me rekord të përsosur, duke marrë 9 pikë nga 3 ndeshje dhe me një diferencë golash +6. E vetmja kombëtare tjetër që arriti maksimumin e pikëve ishte Nigeria, fituese e Grupit C.

Në grupet e tjera, Bregu i Fildishtë arriti të kualifikohej duke lënë pas Kamerunin, ndërsa Mozambiku dhe Sudani siguruan kalimin në fazën tjetër si dy nga ekipet më të mira të vendeve të treta.

Rasti më i veçantë i këtij edicioni është ai i Sudanit që arriti kualifikimin pavarësisht dy humbjeve pa shënuar asnjë gol dhe me një diferencë golash -4. Fitorja vendimtare erdhi ndaj Guinesë Ekuatoriale me rezultatin 1-0, falë një autogoli të mbrojtësit të Torinos, Saul Coco. Në mënyrë paradoksale, Sudani kalon në raundin e 16-shes pa asnjë lojtar që të ketë realizuar gol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë