Ka ndodhur

Kapen qindra kuti me fishekzjarre dhe kapsolla në Tiranë, Vlorë e Dibër. Tre të arrestuar

Gazeta Si – Një sasi e madhe lëndësh piroteknike, e cila mbahej dhe shitej në dyqane, makina apo dhe në rrugë, duke cenuar kriteret është sekuestruar në Tiranë.

Gjatë operacionit janë arrestuar 3 persona dhe janë proceduar penalisht 9 të tjerë. Policia tha se arrestoi I. Xh., 28 vjeç, si dhe procedoi në gjendje të lirë K.H., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tyre, u gjetën lëndë piroteknike që posedoheshin nga 28-vjeçari, me qëllim shitjen, si dhe një sasi e vogël Cannabisi që posedohej nga shtetasi i proceduar. Në pranga ra dhe B.L., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit të tij, u gjet sasi të konsiderueshme fishekzjarresh.

Po ashtu u arrestua, F.J., 55 vjeç, si dhe nisi procedimi penal për B. J., L. T. dhe E. V., pasi nga kontrollet u konstatua se F.J. dhe djali i tij, B.J. shisnin fishekzjarrë në marketin e tyre në rrugën “Myslym Keta”, ndërsa 2 të proceduarit e tjerë u kapën duke blerë lëndë piroteknike.

Më herët, rreth 690 fishekzjarre u gjetën dhe sekuestruan nga policia në një subjekt tregtar në lagjen “Hajro Çakërri”, në Vlorë.

Në një njoftim zyrtar, bëhet me dije se është vënë nën hetim një 64-vjeçare, L.V., që shiste lëndët piroteknike, të cilat janë të ndaluara me ligj.

Ndërsa në Dibër, ka nisur procedimi penal për tre pronarë dyqanesh të cilëve u janë gjetur kuti me kapsolla e fishekzjarre me qëllim për t’i shitur.

Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për O.D., A.K., dhe D.M., pasi në dyqanet e tyre u gjetën kuti me lëndë piroteknike, të cilat mbaheshin me qëllim shitjen e tyre, në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë