Art dhe Kulture

Banksy ‘trondit’ Londrën në fundvit me muralin për fëmijët e pastrehë

Gazeta “SI”- Dy murale identike janë shfaqur në Londër gjatë ditëve që i paraprinë festave të Krishtlindjes: njëri në një mur të perimetrit të Centre Point, në Tottenham Court Road, dhe tjetrinë zonën qendrore të Bayswater-it. Pretendimi për autorësinë nuk u vonua, pasi artisti anonim i street art-it nga Bristoli, Banksy, publikoi në rrjetet sociale provën e autorësisë së veprave. Ai ndau vetëm imazhin e muralit të dytë, atij në Bayswater, i cili megjithatë është identik me muralin e shfaqur më herët në Tottenham Court Road.

Muralet paraqesin dy fëmijë: njëri i shtrirë përtokë, i veshur me pallto, kapele dhe çizme, ndërsa pranë tij ndodhet një tjetër fëmijë, që duket pak më i madh, i cili me gishtin tregues drejton shikimin nga lart, sikur po vështron ndërtesat mbi kokat e tyre ose qiellin me yje. Mesazhi i veprës interpretohet si një denoncim i margjinalizimit të të pastrehëve dhe i rritjes së numrit të fëmijëve që jetojnë si homeless në periferi të metropoleve.

Fenomeni i të pastrehëve, veçanërisht mes fëmijëve, po shënon rritje të vazhdueshme në Britaninë e Madhe. Siç raporton New York Times, duke iu referuar të dhënave të qeverisë britanike të publikuara në tetor dhe që i përkasin gjysmës së parë të vitit, numri i fëmijëve që jetojnë në strehime të përkohshme është rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Sipas këtyre të dhënave, mbi 170.000 fëmijë në Britaninë e Madhe klasifikohen aktualisht si të pastrehë, një shifër rekord.

Një detaj domethënës lidhet me vendndodhjen e muralit të parë, i cili u shfaq poshtë ndërtesës Centre Point. “Centrepoint” është gjithashtu emri i një organizate të njohur bamirëse britanike që lufton kundër fenomenit të të pastrehëve të mitur. Emri i organizatës është frymëzuar pikërisht nga kjo ndërtesë luksoze, e zgjedhur për të vënë në pah kontrastin mes kullës së shtrenjtë, të cilën themeluesi i organizatës e kishte konsideruar një “fyerje për të pastrehët”, dhe të rinjve që ai synonte t’i mbante larg jetës në rrugë.

Banksy nuk është i panjohur për temat sociale, veçanërisht për çështjen e të pastrehëve. Në vitin 2019, artisti kishte denoncuar krizën e mungesës së strehimit me një mural në Birmingham, gjithashtu me tematikë të Krishtlindjes, ku dy drerë dukeshin sikur “tërhiqnin” një të pastrehë që flinte mbi një stol, duke e shndërruar skenën në një kritikë të fortë sociale me gjuhë simbolike.

Burimi: Corriere Della Sera


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë