Nga Gazeta ‘SI’ – Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), nga janari deri në nëntor të këtij viti shqiptarët kanë regjistruar gjithsej 5.312 mjete elektrike, duke shënuar një rritje vjetore prej rreth 70%. Megjithatë, pavarësisht këtij ritmi të lartë rritjeje, pesha e mjeteve elektrike në flotën e re mbetet ende e ulët, pasi ato përbëjnë vetëm rreth 6% të regjistrimeve të reja.
Tregu i mjeteve elektrike në Shqipëri dominohet nga marka kineze, BYD me mbi 2.800 mjete elektrike aktive në qarkullim, duke u pozicionuar ndjeshëm përpara konkurrencës. Në vend të dytë renditet Volkswagen, por me një diferencë të konsiderueshme, me vetëm 982 mjete elektrike aktive.
Në total, gjatë 11 muajve të parë të vitit, në Shqipëri janë regjistruar mbi 89 mijë mjete të reja. Pjesa dërrmuese e tyre janë mjete me naftë, rreth 53.5 mijë njësi, ndërsa struktura e tregut vijon të dominohet nga automjetet e përdorura. Sipas shifrave zyrtare, rreth 83% e mjeteve të regjistruara janë të përdorura, kryesisht të importuara nga tregjet e Bashkimit Europian.
Sa i përket markave, Volkswagen kryeson listën e regjistrimeve totale me rreth 17 mijë mjete të reja, i ndjekur nga Mercedes-Benz me rreth 12.6 mijë mjete. Kjo pasqyron një treg që mbetet i orientuar drejt automjeteve tradicionale me karburant fosil, pavarësisht përpjekjeve për diversifikim.
Edhe pse vitet e fundit kanë pasur nisma nga qeveria për ta orientuar Shqipërinë drejt një transporti më të qëndrueshëm dhe “të gjelbër”, në praktikë transformimi ka qenë i ngadaltë. Aktualisht, mjetet elektrike përdoren kryesisht nga kompanitë e taksive, ndërsa adoptimi nga familjarët mbetet i kufizuar, për shkak të kostove fillestare, mungesës së infrastrukturës së karikimit dhe pasigurisë mbi kostot afatgjata.
Situata është komplikuar edhe më tej pas vendimit të fundit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), i cili dyfishoi çmimin e energjisë për karikimin e mjeteve elektrike, nga 11 në 22 lekë për kilovat-orë. Ky vendim u kundërshtua nga shoqatat e taksive, të cilat kërkuan pezullimin e tij, por pa sukses. Kritikat janë përqendruar në faktin se rritja e kostos së karikimit bie në kundërshtim me politikat e deklaruara për nxitjen e përdorimit të mjeteve elektrike. Qeveria ka paralajmëruar plane për ndërtimin e kullave të karikimit me çmime preferenciale për familjarët, si një përpjekje për të nxitur përdorimin individual të mjeteve elektrike.
Nga ana tjetër një vendim i qeverisë pritet të ndikojë drejtpërdrejtë në tregun e mjeteve në vend. Pak ditë më parë u vendos rritja e cmimeve për zhdoganimin e mjeteve, me tarifa tavan pëër të shmangur nëndeklarimet dhe evazionin. Po ashtu, kjo lëvizje pritet të sjellë rritje cmimesh edhe për blerësit, duke cuar në një “korrigjim” të tregut, që vitet e fundit përjetoi një turbo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




