Nga Gazeta ‘SI’ – Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka prezantuar një projektligj të ri të quajtur “Western Balkans Democracy and Prosperity Act”, i cili synon forcimin e demokracisë, rritjen e tregtisë dhe investimeve, si edhe zgjerimin e mbështetjes politike amerikane për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Projektligji është depozituar më 10 shtator 2025 në Dhomën e Përfaqësuesve dhe përfshin Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Kroacinë, duke e cilësuar rajonin si strategjik për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Europës.
Dokumenti parashikon forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit përmes mbështetjes për sistemin e drejtësisë, transparencën në prokurimet publike dhe mbrojtjen e mediave të pavarura. Një tjetër objektiv kryesor është rritja e tregtisë dhe investimeve amerikane në rajon, veçanërisht në sektorë si energjia e pastër, infrastruktura, bujqësia, teknologjia dhe bizneset e vogla.
Projektligji synon gjithashtu uljen e varësisë nga energjia ruse duke nxitur diversifikimin energjetik dhe zhvillimin e burimeve të rinovueshme, si edhe parashikon kodifikimin e sanksioneve amerikane ndaj individëve dhe subjekteve që minojnë stabilitetin, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor.
Në fokus është edhe ndikimi destabilizues rus dhe kinez, për të cilin kërkohen raporte të detyrueshme mbi fushatat e dezinformimit, ndërhyrjet politike dhe kërcënimet kibernetike. Projektligji parashikon mbështetje për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës digjitale në vendet e rajonit, si edhe zgjerimin e programeve arsimore dhe shkëmbimeve ndërkombëtare, përfshirë universitetet, Peace Corps dhe nisma për të rinjtë.
Një element i veçantë është krijimi i programit “Young Balkan Leaders Initiative”, i cili synon zhvillimin e liderëve të rinj të moshës 18 deri në 35 vjeç në fushat e biznesit, teknologjisë, qeverisjes dhe gazetarisë. Po ashtu, projektligji riafirmon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për integrimin euroatlantik dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe NATO të vendeve që përmbushin kriteret.
Edhe pse projektligji nuk përmend raste apo emra konkretë për Shqipërinë, vendi përfshihet qartësisht në analizën dhe politikat amerikane për Ballkanin Perëndimor. Kongresi amerikan e identifikon korrupsionin, veçanërisht në nivelet e larta politike, si pengesën kryesore për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të rajonit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




