Gazeta “Si”-Ky vit na ka sjellë disa filma të shkëlqyer por edhe të paktën një duzinë katastrofash kinematografike, të vlerësuara me nga një yll. Ja përzgjedhja e kritikëve të The Guardian për dështimet më të mëdha të vitit në kinema.
Saturday Night
“Edhe superadmiruesi më i zjarrtë i shfaqjes legjendare amerikane të humorit televiziv Saturday Night Live do ta ketë të vështirë të përballojë vetëkënaqësinë dhe adhurimin e tepruar ndaj vetes në këtë film rraskapitës nga regjisori dhe bashkëskenaristi Jason Reitman.”

Snow White
“Ky është një version i ri, i pakuptimtë, muzikor live-action i mitit të Borëbardhës – një qasje ‘jo-Wicked’ ndaj historisë dhe një makineri për shitje. Ndërsa filma të tjerë po rishpiknin me lojë dhe zgjuarsi prapaskenat e zuzarëve të famshëm, ky film e trajton historinë në mënyrë lineare, por me ndryshime revizioniste të kuruara me kujdes.

Këto duken hapur si përpjekje të dhimbshme për të shmangur reagimet negative, ndërkohë që në thelb identiteti duhet të mbetet i paprekur.”
Partir un Jour
“Hapja gala e Festivalit të Kanës është gjithmonë një bast i rrezikshëm: një pozicion shumë i ekspozuar, të cilin pak filma e duan apo e kanë nevojë, dhe ku shpesh përfundojnë ‘gjelat’ e zhurmshëm dhe të mbingopur të ekranit të madh.

Fatkeqësisht, ky film është një prej tyre: një muzikal pa jetë që gjoja trajton vlerat e qytetit të lindjes, por që shembet si një iriq i shtypur nga një kamion 18-rrotësh sapo protagonistja femër hap gojën për të kënduar një nga këngët e shumta të tmerrshme.”
Alpha
“Tregimi i mbingarkuar në mënyrë të çuditshme dhe pa asnjë sens humori i cili nuk arrin të fshehë faktin se gjithçka këtu është sinqerisht e pabesueshme dhe e mërzitshme. Çdo rresht dhe çdo skenë kanë butonin e emocioneve patetike në maksimum, por megjithatë të panevojshme.”

High Rollers
“Kjo është një kopje e lirë e Ocean’s Eleven me John Travolta, që e bën filmin e Steven Soderbergh të duket si një vepër e Andrei Tarkovskit apo Ingmar Bergmanit. Është një film që të ngadalëson rrahjet e zemrës nga budallallëku dhe mungesa e hijeshisë, i realizuar keq dhe, sinqerisht, i mërzitshëm, përveç rasteve kur gabimet bëhen aq flagrante sa nuk mund të mos qeshësh.”

Jungle Trouble
“Me një protagonist jashtëzakonisht të bezdisshëm të quajtur Mohsen, ky film aventurë në xhungël duket sikur është qepur si një Frankenstein i dobët nga mbetjet e animacioneve të tjera të dështuara – të cilat vetë janë arnime nga filma shumë më të mirë.”

Jay Kelly
“Në këtë film të mjerë dhe sentimental, George Clooney ka pamjen e një njeriu që ka gjetur strikninë në kapsulën e tij të Nespresso-s dhe nuk mban mend se në cilin dollap të suitës luksoze të hotelit ndodhet antidoti.”

The Boatyard
“Ka diçka thellësisht dëshpëruese në kotësinë e The Boatyard: mungesë humori, empatie dhe aftësish bazë filmike. Aktrimi arrin një nivel aq të saktë tmerri, saqë bëhet i padurueshëm.”

Mission Alarum
“Askush nuk duket se është plotësisht i qartë se çfarë përfshijnë ‘ambasadorët specialë’ të Sylvester Stallone, Mel Gibson dhe Jon Voight, apo nëse kjo treshe bashkudhëtarësh të së djathtës ka përmbushur ndonjëherë ndonjë detyrë zyrtare.

Por, duke gjykuar nga ky film, Stallone tashmë po e turpëron veten duke realizuar një vepër aq të keqe sa turpëron vetë kinemanë amerikane.”
Mr Blake at Your Service!
“Ajo që e bën këtë film një sprovë të vërtetë për t’u parë janë leximet e jashtëzakonshme të dialogut nga Malkovich në frëngjisht, me theksin e tij të ngadalshëm dhe qartësisht amerikan. Ai tingëllon si Dr Hannibal Lecter pasi ka pirë një sasi marramendëse marihuane, duke bërë një imitim përbuzës të një kamerieri francez të lëpirë që synon ta hajë.”

Tron: Ares
“Matrica e kotësisë ringarkohet në këtë film fantastiko-shkencor trullosës e të mërzitshëm, më shumë një ‘screensaver’ sesa një film i mirëfilltë. Nuk ka dramë, as rrezik dhe as interes njerëzor. Kjo seri tashmë duket po aq urgjentisht bashkëkohore sa një CD-player në makinë.”

Christmas Karma

“Sado i gatshëm të jem për të përqafuar çdo variant të ri të A Christmas Carol të Dickens-it, dhe sado kureshtar të jem për të dëgjuar nga regjisorja e Bend It Like Beckham, Gurinder Chadha, ky film është i rëndë, i luajtur pa bindje dhe po aq i mirëpritur sa një mi i ngordhur në vozgë.”
Burimi: The Guardian
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




